Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
E Hënë, 31.03.2014
Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i kryesuar nga Ramë Vataj, kryetar i Komisionit, në mbledhjen e sotme shqyrtoi Projektligjin për Kinematografinë, nr. 04/L-264, para miratimit në parim. Para anëtarëve të Komisionit lidhur me përmbajtjen dhe objektivat e këtij Projektligji, gjerësisht foli ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Memli Krasniqi, i cili theksoi se synohet që ky Projektligj të përmbajë praktikat më të mira nga Rajoni dhe më gjerë, duke përmbushur kërkesën e komunitetit të gjerë artistik të vendit. Ligji i ardhshëm ndër të tjera përcakton obligimet e institucioneve përkatëse. Ministri Krasniqi pohoi se Projektligji parasheh që kuota e subvencioneve për financimin prodhimit të filmave do të ngritet nga 50 për qind në 70 për qind. Teksti i Projektligjit gjeti përkrahje edhe te deputetët, të cilët përkrahën procedimin e tij në Kuvend.
Në vijim Komisioni shqyrtoi vendimin e Qeverisë për propozimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës. Duke hapur debatin, Ramë Vataj, tha se ky Këshill është i domosdoshëm për arsimin e lartë. Gjatë debati, u përkrah lista, megjithëse pati mendime se kjo përbërje ka mundur të jetë edhe më e mirë. Po kështu, pati edhe pyetje për mënyrën e procedimit të propozimit të anëtarëve të Këshillit. Për këtë çështje dha sqarime, këshilltarja e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Selvije Halimi. Pas përmbylljes së diskutimit, Komisioni përkrahu procedimin për votim të propozimit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, të bërë nga Qeveria e Kosovës.
Komisioni pastaj shqyrtoi Raportin vjetor të punës për vitin 2013 të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, të cilin para Komisionit e paraqiti, drejtori i këtij Këshilli, Naim Abazi, i cili foli me shifra e fakte lidhur me aktivitetet monitoruese të këtij Këshilli, që janë edhe funksione kryesore të këtij Këshilli.Diskutuesit vlerësuan lart punën e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, duke theksuar se në këtë mënyrë, ky Këshill me punën që po bën , duke shënuar progres të pandalshëm, po rrit peshën e vetë institucionit.
Në këtë mbledhje, në rendin e ditës u përfshi edhe Raporti me rekomendime për monitorimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, të cilat do të diskutohen edhe në mbledhjen e radhës së këtij Komisioni.