Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion

E Hënë, 31.03.2014




Komisioni për Legjislacion, kryesuar nga kryetari i komisionit, Arben Gashi, përkrahu propozimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për emërimin e një anëtari në Komisionin për kërkesa pronësore, si dhe propozimet për emërimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës.

Sa i përket shkresës së ish-Këshillit Komunal për Financim (KKF) Gjakovë, u sqarua se kjo çështje nuk është në fushëveprim të komisionit Komisioni shqyrtoi dhe përkrahu edhe raportin plotësues të Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 04/L-131 për skemat pensionale të Financuara nga Shteti, ndërkaq sa i përket raportit të komisionit u theksua se për atë vendos seanca.

Më tej, anëtarët e komisionit u njoftuan edhe lidhur me shkresën e Bashkësisë Malazeze, për t'u njohur si komunitet në Kushtetutë.

Komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin nr. 04 /L-261, për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe amendamentet e propozuara. Komisioni vlerësoi se amendamentet e Komisionit Funksional, Grupit Parlamentar të LDK-së dhe të deputetit Faton Topalli nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk janë në mospajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe mund të procedohen për shqyrtim dhe miratim në mbledhjen plenare, kurse nuk u përkrah amendamenti i deputetes Biserka Kostiq, pasi Komisioni vlerësoi se nuk është në përputhje me standardet e hartimit të legjislacionit.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion