Lajmet e fundit
U mbajt takimi Java e Gruas
E Premte, 28.03.2014
Në ditën e pestë dhe atë përmbyllëse të javës së gruas, u diskutua lidhur me iniciativat ligjore si të nevojshme për arritjen e barazisë gjinore.
Në këtë takim morën pjesë veç Grupit të Grave Deputete edhe Aleanca e Grave Deputete nga Shqipëria.
Në ditën përmbyllëse të Javës së Gruas foli edhe kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i cili mes tjerash tha se Parlamenti ka miratuar një varg ligjesh të cilat ndikojnë në fuqizimin e gruas, por gruaja ende nuk e ka vendin e merituar në shoqëri.
Ndërsa, kryetarja e GGD-së, Teuta Sahatqija, theksoi se Kushtetuta e Kosovës në nenin 7.2 siguron barazinë gjinore si vlerë themelore e zhvillimit demokratik. "Kemi edhe shumë ligje të mira që përfshijnë masa afirmative për arritjen e barazisë gjinore, por ne duhet të punojmë shumë që të bëjmë legjislacion të përafërt për arritjen e barazisë gjinore dhe po ashtu duhet të punojmë që gruaja të jetë partnere e barabartë në të gjithë sektorët e shoqërisë", theksoi Sahatqija.
Me këtë rast foli edhe kryetarja e Aleancës së Grave Deputete nga Shqipëria, znj. Mesila Doda. Mes tjerash ajo tha: "Ne jemi komb i madh në shtete të vogla që duhet të harmonizojmë politikat me qëllim të krijimit të vlerave njerëzore, demokratike, para së gjithash është e rëndësishme që të kemi politika arsimore, ekonomike etj, si dhe të sigurojmë rol të rëndësishëm të grave në shoqëri".
Kurse, deputetja Flora Brovina foli për rolin e Gruas në çlirimin e Kosovës, si dhe në ditët e shtetndërtimit.
Një fjalë rasti mbajtën edhe përfaqësueset nga Shqipëria, znj. Mimoza Hafizi dhe znj.Majlinda Bregu, si dhe deputetet e Kosovës: Emiljia Regjepi, Alma Lama e Sala Berisha.
Krejtësisht në fund, u çertifikuan 100 gra pjesëmarrëse në javën e gruas.
Delegacioni i Grave nga Kosova dhe Shqipëria do të bëjë homazhe edhe tek varri i ish-presidentit dr. Ibrahim Rugovës, si dhe në Varrezat e Jasharajve, në Prekaz.