Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit
E Premte, 28.03.2014
Në vazhdim të mbledhjes së 27 marsit, të drejtuar nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti, në fillim u shqyrtua Deklarata për partneritet ndërmjet Kuvendit dhe Shoqërisë Civile, të cilën para deputetëve e prezantoi në cilësi të propozuesit dhe të deputetëve nënshkrues, Glauk Konjufca. Duke folur për nevojën e miratimit të kësaj Deklarate, z. Konjufca theksoi se është me interes të kemi një dokument bazë, me anë të të cilit Kuvendi i Kosovës zotohet se do të bashkëpunojë me shoqërinë civile dhe do të avancojë bashkëpunimin, me transparencë të plotë. Ai në vijim para deputetëve lexoi edhe tekstin e Deklaratës të përbërë nga 10 pika. Këtë nismë dhe Deklaratën e përkrahën diskutuesit, si në emër të grupeve parlamentare, ashtu edhe në emër të tyre, përkatësisht Halit Krasniqi nga GP i PDK-ës, Salih Morina GP i LDK-ës dhe Myzejene Selmani nga GP i KKR-ës. Nënkryetari Sabri Hamiti në diskutimin e tij përkrahu Deklaratën, duke theksuar se ajo është e mirë, por hetohen disa përsëritje, duke u angazhuar për një tekst më homogjen. Blerta Deliu -Kodra theksoi se kjo Deklaratë do të ndihmojë në transparencë dhe në llogaridhënie.
Në vijim Kuvendi shqyrtoi Raportin e Komisionit për Integrime Evropiane për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ripranim, të cilin para deputetëve e prezantoi në emër të Komisionit, Blerta Deliu-Kodra, duke theksuar se ky Komision ka bërë mbikëqyrjen e zbatimit të këtij Ligji dhe ka hartuar një Raport me rekomandime. Ajo apeloi për organizim të fushatave që kanë për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve dhe familjeve lidhur me procesin e ripranimit. Në emër të LDK-ës Raportin e Komisionit e përkrahu Alma Lama, e cila theksoi se ky proces nuk është i thjeshtë,ndërkaq gëzon fakti që Ligji rregullon mirë këtë çështje dhe është i zbatueshëm. Në emër të KKR-së Suzan Novobërdali i dha përkrahje Grupit punues që ka bërë monitorimin. Raportin e përkrahu në emër të GP të VV edhe Glauk Konjufca. Pas përfundimit të shqyrtimit, seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit, ndaj votimi edhe për këto dy pika do të bëhet në seancën e radhës.
Për vazhdimin e saj do të vendosë Kryesia e Kuvendit të Kosovës.