Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në përmbyllje të manifestimit ”Java e Gruas”

E Premte, 28.03.2014





Në kuadër të aktiviteteve të zhvilluara me rastin e "Javës së Gruas", kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mori pjesë në takimin përmbyllës të këtij manifestimi, që u mbajt sot në hotelin "Sviss Diamond", në Prishtinë.

Ai m e këtë rast tha se "Java e Gruas" është një traditë e mirë e cila organizohet për të tretin vit me radhë, ndërsa falënderoi NDI-në, për kontributin e dhënë në organizimin e kësaj jave. Ky organizim, tha në vijim kryeparlamentari, është mundësi debati, identifikimi dhe diskutimi për rolin dhe pozitën e gruas në të gjitha sferat e angazhimit të saj në shoqërinë tonë.

Duke folur për rolin e Kuvendit të Kosovës në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqërinë tonë, kreu i Kuvendit, Krasniqi tha:" Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar një kuadër ligjor të gjithanshëm në fushën e të drejtave të njeriut, dhe veçanërisht në atë të drejtave të grave, të cilat derivojnë nga akti më i lartë juridik, Kushtetuta". Ai në vijim ka veçuar disa nga ligjet e miratuara, siç janë: ligji për barazinë gjinore, Ligji kundër diskriminimit dhe Ligji për mbrojtje nga dhuna në familje. Po ashtu, ai foli edhe për Grupin e Grave Deputete në Kuvendin e Kosovës, si dhe rolin e tij në promovimin dhe avancimin e rolit të gruas dhe pozitës së saj. Në fund të fjalës së tij me këtë rast, kreu i Kuvendit, Krasniqi tha: "Kosova po vendos standarde të barazisë ndërmjet gjinive, zbatimi i të cilave është obligim, jo vetëm institucional, por edhe i të gjithë faktorëve të shoqërisë sonë".

 

 

Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në përmbyllje të manifestimit ”Java e Gruas”