Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

E Enjte, 27.03.2014




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, një pjesë të mbledhjes e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti , filloi me pikat e rëndomta të rendit të ditës, përkatësisht kohës për deklarime jashtë rendit të ditës. Me këtë rast deputetët ngritën çështje të ndryshme nga zhvillimet aktuale nga jeta shoqërore, ekonomike,arsimore e politike në vend.


Ndërkaq, në vijim të mbledhjes në pyetjet e deputetëve u përgjigjën: ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq dhe ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Memli Krasniqi.


Në vijim të mbledhjes deputetja Flora Brovina, propozoi që në rëndin e ditës së sotme të përfshihet edhe Projektligji për veteranët e luftës së UÇK-ës, por gjatë votimit për shmangie nga rendi i ditës, ky propozim nuk mori votat e nevojshme të deputetëve.


Kuvendi pastaj vazhdoi me procedurën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Nga tre kandidatët e propozuar : Hilmi Jashari, Gjyljeta Mushkolaj dhe Adriana Hoxhiq, asnjëri nuk arriti numrin e votave të nevojshme për t' u zgjedhur Avokat i Popullit.


Kuvendi pastaj kishte në shqyrtim të parë Projektligjin për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, të cilin e arsyetoi zëvendëskryeminstrja Edita Tahiri. Duke folur për përmbajtjen e këtij Projektligji ajo tha se nxjerrja e këtij Projektligji ka për qëllim verifikimin e pronave të paluajtshme private dhe bujqësore, fetare e komerciale, si dhe zgjidhjen e dallimeve në mes dokumenteve kadastrave origjinale të marra me dhunë nga Serbia deri në qershor të vitit 1999. Po kështu, ky Projektligj ka për synim kthimin e dokumentacionit kadastral të Kosovës nga Serbia. Duke folur ne emër të Komisioni për Legjislacion, nënkryetari i këtij Komisioni, Behar Selimi theksoi se ky komision i rekomandon Kuvendit që të miratojë në parim këtë Projektligj. Ndërkaq, Armend Zemaj në emër të GP të LDK-ës theksoi se nuk kanë ndodhur ndryshimet e pritura në këtë Projektligj. Ai në vijim tha se nëse nuk ndodhin ndryshimet e propozuara, në dëgjimin e dytë, ky grup paralamentar nuk do ta përkrahë këtë Projektligj. Ardian Gjini në emër të AAK-ës kërkoi zgjidhje për Agjencinë Kosovare të Pronës, kurse Gëzim Kelmendi nga KKR theksoi se ka mjaft dilema sa i përket çështjeve të pronave, si dhe shtroi nevojën e vlerësimit të kushtetutshmërisë së Projektligjit. Pas debatit Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.


Edhe Raportin vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2013 para deputetëve e arsyetoi Safete Hadërgjonaj, e cila theksoi se ky raport është shqyrtuar në mungesë të Bordit të tij. Në emër të GP të PDK-ës, Asime Krasniqi e përkrahu në parim këtë Projektligj, ndërkaq, Hykmete Bajrami nga GP i LDK-ës, theksoi se Raporti nuk plotëson kushtet për shqyrtim , ndaj ky grup parlamentar është kundër miratimit të tij. Faton Topalli nga GP i VV tha se ky Raport nuk jep llogari për shpenzime dhe shkeljet ligjore në veprimtarinë e tij. Raporti, tha ai, është shumë i përgjithësuar, ndaj ishte i mendimit që ai të mos miratohet. Xhevdet Neziraj nga AAK tha se në mungesë të Bordit, Raporti është i papranueshëm. Gjatë debatit disa deputetë mohonin se projektligji është miratuar në Komision. Edhe për këtë Raport do të votohet në vazhdim të seancës së nesërme.


Në vijim u shqyrtua Raporti vjetor i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2013,të cilin para deputetëve e paraqiti kryetarja e Komisionit për Buxhet e Financa , Safeta Hadërgjonaj, e cila theksoi se ai përmbush kërkesat ligjore, ndaj edhe i rekomandohet Kuvendit që të miratohet. Raportin në emër të PDK-ës e përkrahu Hasime Bajrami. Ndërkaq,duke folur në emër të GP të LDK-ës, Hykmete Bajrami tha se ky Raport është relativisht i mirë, nga i cili del se ka kapacitete të kufizuara, si dhe fakti se ka gjetur në çdo të dytin prokurim shkelje ligjore. Edhe kjo diskutuese përkrahu Raportin. Shumë shkelje në këtë Raport konstatonte edhe Albana Fetoshi, në emër të GP të VV-ës, ndërkaq Xhevdet Neziraj nga AAK-ja shtroi kërkesën që të shtohen kapacitetet e këtij organi për të pasur një perceptim më të mirë të prokurimit. Sevdije Lama në emër të GP të KKR-ës e përkrahu Raportin.


Seanca vazhdon punën nesër.

Mbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e Kuvendit