Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 26.03.2014




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare, shqyrtoi Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitet 2015-2017, tri projektligje dhe një raport vjetor.

Komisioni shqyrtoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Linjën Kreditore për Fondin e Sigurimit të Depozitave në Kosovë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kryetarja Hadërgjonaj tha se bëhet fjalë për një marrëveshje për sigurimin e fondit të depozitave në vlerë prej 10 milionë eurove. Përfitues i kësaj marrëveshjeje, sipas saj, është Fondi i sigurimit të depozitave, ndërsa garantues është Qeveria e Kosovës.

Komisioni përkrahu projektligjin dhe i rekomandoi seancës ratifikimin e marrëveshjes.

Në vazhdim, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, me amendamente të komisionit funksional, si dhe një amendament plotësues të komisionit funksional lidhur me Projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, me konstatimin se ato nuk përmbajnë implikime shtesë buxhetore.

Komisioni përkrahu edhe raportin vjetor financiar të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2013, të cilin e paraqiti kryetari Naim Abazi.

Në vazhdim, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, paraqiti para komisionit Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2015-2017.

Duke shkoqitur aspekte përmbajtësore të saj, sekretari Krasniqi tha se Korniza, në krahasim me vitin 2014, për vitin 2015 parasheh rritje të shpenzimeve në disa kategori, në shumën prej 797 299 euro. Në vazhdim, sekretari i Kuvendit arsyetoi rritjet nëpër secilën kategori veç e veç.

Komisioni e përkrahu Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit dhe i rekomandoi Kryesisë miratimin e saj.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa