Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

E Mërkure, 26.03.2014




Me qëllim të marrjes së vërejtjeve dhe propozimeve nga veteranët e luftës lidhur me Projektligjin për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryetarja e parë, Time Kadriaj, ka mbajtur sot dëgjim publik.

Përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVLUÇK) e të organizatave të tjera të shoqërisë civile, si dhe anëtarë të komisionit, të pranishëm në këtë dëgjim publik, diskutuan hollësisht rreth përmbajtjes së këtij projektligji, paraqitën qëndrime, dhanë vërejtje e sugjerime rreth neneve të caktuara të tij.

Zëvendëskryetarja e komisionit, Kadriaj, vlerësoi se ky projektligj, i cili mbron vlerat e luftës, është i vonuar, ndërsa komisioni po bën përpjekje që sa më shpejt ta përfundojë shqyrtimin dhe amendamentimin e tij. Ajo tha se rekomandimet dhe propozimet e ish-luftëtarëve do të shqyrtohen nga komisioni, në funksion të përmirësimit të projektligjit.

Përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit, Faik Fazliu, tha se gjatë hartimit të projektligjit janë marrë parasysh qëndrimet e veteranëve të luftës, përderisa qeveria ka siguruar mjetet financiare për implementimin e tij.

Kryetari i OVLUÇK-së, Muharrem Xhemajli, konfirmoi se përfaqësuesit e veteranëve kanë qenë pjesë e punës për hartimin e këtij projektligji, por, megjithatë, ai identifikoi disa mangësi dhe paraqiti vërejtje të caktuara në përmbajtjen e tij. Xhemajli shtroi nevojën e saktësimit të datës së themelimit të UÇK-së, e cila, sipas tij, do të ndihmonte që ligji të përfshinte një periudhë më të gjerë kohore dhe do ta njihte kontributin e themeluesve të saj. Ai tha se ligji nuk është më i miri i mundshëm, mirëpo nëpërmjet tij njihet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vazhdim, përfaqësues të degëve të organizatës së veteranëve, të Zyrës për Trashëgimi të TMK-së e të organizatave të tjera të shoqërisë civile, paraqitën vërejtjet dhe sugjerimet e tyre, duke e konsideruar këtë projektligj të një rëndësie të veçantë për këtë kategori respektuar të shoqërisë.

Anëtarë të komisionit, ndërkaq, duke i dhënë projektligjit përkrahjen e tyre e të subjekteve që përfaqësojnë, e konsideruan atë të domosdoshëm për veteranët, i cili mund të plotësohet, varësisht prej defekteve që mund të vërehen gjatë zbatimit të tij. Pati gjithashtu, edhe vlerësime se ky projektligj nuk ofron mbështetje të mjaftueshme për ish-luftëtarët e UÇK-së.

Zëvendëskryetarja e komisionit, Time Kadriaj, duke e konsideruar të frytshëm këtë dëgjim publik, tha se komisioni do të fillojë që sot punën për amendamentimin e projektligjit, në bazë të propozimeve të paraqitura.

 

 

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale