Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Mërkure, 26.03.2014




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri, përkrahur nga Instituti, GAP, ka organizuar sot dëgjim publik me temën: mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit në fushën e inspektorateve. Takimin e udhëhoqi kryetari i komisioni, Zenun Pajaziti, i cili falënderoi përfaqësuesit e GAP-it, për angazhimin e tyre lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit nga fusha e inspektorateve. Përfaqësuesi i GAP-it, Visar Rushiti, ndërkaq, duke iu referuar një raporti të hartuar prej këtij instituti, ka vënë në pah se inspektorati në Kosovë mbikëqyr zbatimin e 15 ligjeve dhe 30 akteve nënligjore. Ai në vijim nënvizoi se Ligji për inspektoratin dhe mbikëqyrjen e tregut, ndonëse i miratuar në vitin 2010, nuk është duke u zbatuar. Përfaqësuesi i GAP-it, ka kritikuar edhe organizimin e brendshëm të inspektoratit dhe nivelin e pagave të inspektorëve. Në fund të paraqitjes së tij, Rushiti paraqiti gjashtë rekomandime për komisionin, të cilat sipas tyre do të ndikojnë në një zbatim më të lartë të Ligjit për inspektoratin dhe mbikëqyrjen e tregut.

Kryeshefi i Inspektoratit për Energji në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Sherafedin Mumxhiu, vlerësoi se mungon një ligj unik që do të rregullonte këtë fushë, ndërsa kërkoi rishikimin e ligjit aktual. Sipas tij, e meta më e madhe e ligjit aktual është se inspektoratet janë të vendosura nën mbikëqyrjen e Qeverisë, përkatësish ministrive relevante.

Për nevojën e një ligji unik për inspektoratin, është shprehur edhe Qerkin Dugolli, përfaqësues i Ministrisë së Infrastrukturës.

Anëtarët e komisionit kanë falënderuar Institutin , GAP, ndërsa kanë përkrahur disa nga rekomandimet e paraqitura në raport.

 

 

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...