Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...

E Marte, 25.03.2014




Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Suzan Novobërdali, diskutoi lidhur me zbatimin e Ligjit për pensionet e personave me aftësi të kufizuar në Kosovë, përkatësisht përjashtimin e personave të shurdhër nga skema pensionale. Në këtë takim ku morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), përfaqësuesit nga Shoqata Kosovare e të Shurdhërve si dhe Sadije Asllani, anëtare e Komisionit Mjekësor për përcaktimin e shkallës së paaftësisë të personave të shurdhër, u bisedua për shkaqet e mospërfshirjes në skemat pensionale të kësaj kategorie.

Anëtarja e Komisionit Mjekësor, Asllani, sqaroi se komisioni i mëhershëm ka bërë lëshime në vlerësimin shëndetësor dhe përcaktimin e shkallës së paaftësisë së aplikantëve. Ajo tutje sqaroi se në vendimet e atyre që u është refuzuar pensioni, është sqaruar se nuk i përkasin kategorisë së personave me aftësi të përhershme të kufizuar dhe vendimet lidhur me këtë janë marrë në harmoni me dispozitat e ligjit aktual.

Përfaqësuesi i MPMS-së, përkatësisht drejtori i Departamentit të Pensioneve, Sami Salihu, hodhi poshtë pohimet se përjashtimi nga skema pensionale është bërë me vendim të ministrit të MPMS-së. Edhe ai tha se vendimet janë marrë në harmoni me dispozitat ligjore, ndërsa ngriti nevojën e plotësim-ndryshimin e ligjit.

Përfaqësuesi i shoqatës së të shurdhërve, Enver Kurtalani, pohoi se përjashtimi i kësaj kategorie nga skema pensionale, është në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe kërkoi që kësaj kategorie t'i njihet e drejta e pensionit sikurse që ka qenë deri më tani. Përfaqësuesit nga ministria u janë përgjigjur edhe pyetjeve të ngritura. Ata vlerësuan se ligji nuk ka specifikuar qartë obligimet e ministrisë ndaj kësaj kategorie dhe kërkuan që të merret iniciativë për ndryshimin e tij. Duke këmbëngulur në realizimin e të drejtave të kësaj kategorie, anëtarët e komisionit u dakorduan që në mbledhjen e radhës të takojnë edhe ministrin e MPMS-së, z.Nenad Rashiq.

Në këtë mbledhje, komisioni ka shqyrtuar edhe disa kërkesa dhe peticione të qytetarëve.

 

 Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...