Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 25.03.2014




Mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Aviacionin Civil, ishte temë e debatit të sotëm, të organizuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga nënkryetarja e Komisionit, Teuta Sahatqija.

Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) Driton Gjonbalaj, tha se ndonëse AAC-ja, bie në domenin e përgjegjësisë së katër institucioneve, AAC mbetet përgjegjësja kryesore në mbarëvajtjen e punës së sektorit të aviacionit civil. Për të arritur dhe trendet sipas standardeve ndërkombëtare, ai në vijim sqaroi se AAC-ja ka miratuar 65 rregullore të harmonizuara me ligjet e BE-së. Ai ka folur edhe për Inspektoratin e AAC-së dhe inspektimin që ata kanë kryer gjatë vitit. Duke folur për të arriturat në sektorin e aviacionit civil në Kosovë, Gjonbalaj iu referua edhe Raportit të Progresit nga KE-ja, ku Kosova vlerësohet me të arriturat më të mëdha në rajon.

Drejtori i Departamentit të Aviacionit Civil në Ministrinë e Infrastrukturës, Avdi Kamerolli, foli për politikat zhvillimore të këtij sektori. Ai me këtë rast vuri në pah dhënien me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar "Adem Jashari", të Prishtinës, ku janë shënuar të arritura të mëdha në zhvillimin e këtij sektori. Nga 1.2 milion vajtje-ardhje sa kanë qenë më herët, tha ai, pas dhënies me koncesion të aeroportit janë realizuar 4.5 milion vajtje -ardhjeve.

Për zbatimin e ligjit foli edhe përfaqësuesi i MPB-së, Kastriot Gashi. Sa i përket angazhimeve të kësaj ministrie, ai njoftoi se janë nxjerrë 17 rregullore dhe po ashtu është duke u punuar në tri programe zhvillimore.

Përfaqësuesi i INDP-së, Burim Ejupi, ndërkaq, ka folur për ligjin, për të cilin ka ngritur edhe disa vërejtje në përmbajtjen e tij. Ai tha se AAC-ja nuk duhet të trajtohet si kategori kushtetuese, edhe pse Ligji për Aviacionin Civil, është i bazuar në ligjin e SHBA-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar.

Në emër të Ministrisë së Infrastrukturës ka folur Milaim Ahmetaj, i cili njoftoi se kjo ministri ka nxjerrë 10 rregullore të cilat i ka harmonizuar me ato të BE-së.

 

 

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...