Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Marte, 25.03.2014




Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, i kryesuar nga kryetari i Komisionit, Ali Sadriu, diskutoi lidhur me Rekomandimet e Komisionit të dala nga Raporti i auditimit të Agjensionit Kosovar të Privatizimit dhe të Fondit të Privatizimit, në kuadër të mbikëqyrjes së zbatimit të rekomandimeve nga ana e Komisionit.

Komisioni në mënyrë unanime kërkoi nga Agjencia Kosovare e Privatizimit raport me shkrim lidhur me këto çështje:

Kontratën në vlerë prej 20 milionë euro, të cilën e ka nënshkruar AKP-ja me Deloitte. U theksua se informata duhet të përmbajë të dhëna veçanërisht për vlerën 1.2 milion euro, e cila është paguar pa bazë ligjore nga Llogaria e Fondit, e jo nga ajo e Agjensionit;

Hartimin e rregullave të qarta për mënyrën e administrimit dhe bashkëpunimit të duhur në mes menaxherëve të "Trepçës", si dhe të kërkojë nga NSH "Trepça" pasqyra vjetore financiare të unifikuara;

Thjeshtësimin e informatave financiare për t`i bërë ato më të kuptueshme për lexuesit e jashtëm;

Procesin e likuidimit të ndërmarrjeve dhe trajtimin e 20 përqindëshit;

Harmonizimin e rregullave të brendshme për kompensim të anëtarëve të Bordit të Drejtorëve me Ligjin Nr03/L161 mbi të ardhurat personale;

Hartimin e një rregullore të brendshme për kompensim të stafit, në përputhje më Ligjin për paga të shërbyesve civil; si dhe

Të ardhurat personale të paguara të Bordit të Drejtorëve, tatimin e ndaluar në burim sipas ligjeve në fuqi.

Ndërkaq, Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, Komisioni i rekomandoi që të bëjë auditim të përformancës, për procesin e ndarjes së 20 përqindëshit.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike