Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti përfaqësuesit e Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së

E Marte, 25.03.2014




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot një delegacion nga Shoqata e Veteranëve të UÇK-së, të kryesuar nga Muharrem Xhemajli. Temë bisede e takimit ka qenë mundësitë e përshpejtimit të procedurave për miratimin e Projektligjit për Veteranët e UÇK-së.

Përfaqësuesit e veteranëve kanë pohuar gjendjen e rëndë të pjesës më të madhe të çlirimtarëve të Kosovës, sidomos të rreth tetë mijë prej tyre, të cilët nuk kanë ndonjë marrëdhënie pune dhe jetojnë në kushte tepër të rënda ekonomike. "Shteti i Kosovës ka pasur mundësi të bëjë më shumë për këtë kategori të merituar të shoqërisë sonë dhe për familjarët e tyre" janë shprehur përfaqësuesit e tyre, duke pohuar brengosjen tyre për vonesat e shkaktuara gjatë procedimit të tij në Kuvend.

Kryeparlamentari Krasniqi, duke shprehur përkrahjen e tij personale për shokët e tij të luftës, në të drejtën e tyre shumë legjitime, ka theksuar se ligji është në procedurë parlamentare dhe se sa të kalojë dëgjimin publik në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe të kalojë fazën e amendamentimit, do të radhitet për shqyrtim të dytë në seancën e javës së ardhshme.

Në vërejtjen e njërit nga mysafirët se Projektligji nuk ka pasur nevojë të kalojë fare nëpër komisione parlamentare, Krasniqi është përgjigjur: "Ne kemi luftuar për lirinë e vendit, por sigurisht edhe për funksionimin e shtetit ligjor, prandaj duhet t'i respektojmë proceduarat dhe ligjet", duke i përkujtuar veteranët se projektligji, jo që nuk është vonuar, por madje edhe në shqyrtim të parë ka hyrë me procedurë të përshpejtuar.Ai, ndërkaq, ka pohuar se Projektligji për Veteranët e UÇK-së , kostoja e të cilit nuk dihet për shkak të numrit të paverifikuar të pjesëtarëve të luftës çlirimtare, ka shqetësuar edhe FMN-në, ndaj ka kërkuar që të precizohen listat e sakta pjesëtarëve të luftës.

 

Kryeparlamentari Krasniqi priti përfaqësuesit e Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së