Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti ambasadorin e Zyrës Ndërlidhëse Greke, dr. Dimitris Moschopoulos
E Marte, 25.03.2014
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim lamtumirës me ambasadorin e Zyrës Ndërlidhëse Greke, dr. Dimitris Moschopoulos. Duke u falënderuar për pritjen, z. Dimitris Moschopoulos tha se ishte kënaqësi për të përfaqësimi i Greqisë në Kosovë. "Më ka pëlqyer mikpritja, miqësia që më është ofruar kudo në Kosovë, megjithëse Greqia ende nuk e ka njohur Kosovën. Mirëpo, mosnjohja nuk duhet shikuar si pozicion ndaj shqiptarëve të Kosovës, njohja është me rëndësi për fqinjët", theksoi Dimitris Moschopoulos. Ndërkaq, në vijim ai u angazhua për një perspektivë të qartë të Greqisë dhe Kosovës, sepse kështu bëhet historia."Këtu kemi jetuar së bashku gjatë historisë dhe kurrë nuk kemi pasur probleme me Kosovën, ndaj duhet të zhvillohen sa më shumë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, pa harruar se në periudhën e deritashme të bashkëpunimit kemi pasur përmirësime, madje edhe në fushën e këmbimeve tregtare. Jemi fqinj të mirë, do të jemi të tillë edhe në të ardhmen, duke e mbështetur Kosovën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Greqia përkrah MSA-në, si dhe liberalizimin e vizave, madje pikërisht sot është shënuar viza e parë shengen në një pasaportë kosovare nga ana greke", tha z. Dimitris Moschopoulos.
Pasi e falënderoi për punën e bërë, kryekuvendari Krasniqi theksoi se ka ecje progresive në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve."Presim që në periudhën e shërbimit të pasuesit tuaj në Kosovë, të përfundojë edhe njohja formale e pavarësisë së Kosovës. Vlerësojmë shumë përkrahjen e përfaqësuesve të Greqisë në institucionet evropiane për Kosovën, që është shumë domethënëse për ne. Në këtë frymë gjithnjë do të jemi në shërbim të politikave integruese në Rajon dhe në Evropë", theksoi kreu i legjislativit të vendit Krasniqi. Ai në vijim theksoi se edhe në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë pritet të shënohet progres në të ardhmen. Paqja dhe integrimi janë perspektivë e të gjithë qytetarëve të Rajonit, pohoi z. Krasniqi.