Lajmet e fundit

Filloi punimet “Java e Gruas”

E Hënë, 24.03.2014




Grupi i Grave Deputete në bashkëpunim me NDI-në organizuan, sot, për të tretën herë me radhë, "Javën e Gruas", që mbahet me qëllim të fuqizimit të gruas në të gjitha nivelet dhe në të gjithë sektorët.

Takimin e hapi kryetarja e GGD-ës, znj Teuta Sahatqija, e cila tha: "Java e Gruas" tashme është shndërruar në ngjarje tradicionale, për të cilën çdo vit rritet interesimi për të qenë pjesë e saj, ngjarje e cila tubon vajza dhe gra nga gjithë territori i Kosovës, sektorë te ndryshëm dhe nacionalitete të ndryshme. Gjatë kësaj Jave, ju të dashura pjesëmarrëse, do te keni mundësi të takoni personalitete të njohura që i shihni ne media, të dëgjoni dhe të bashkëbisedoni me ato. Do të keni mundësi të merrni njohuri të vlefshme nga ekspertë të njohur të nivelit botëror për lëmenj të ndryshëm, sidomos nga teknologjinë informative, mjet ky i vlefshëm për karrierë, ndërsa do të keni mundësi të komunikoni drejt për drejt me Znj. Madelenie Allbright dhe personalitete tjera. Do të keni mundësi të merrni pjesë në trajnim superior, se si të formësoni të ardhmen tuaj si lidere", theksoi Sahatqija.

Takimin e nderoi me praninë e saj Presidentja e vendit, znj. Atifete Jahjaga, e cila në fjalën e saj përmendi rëndësinë e aprovimit të Ligjit për statusin e dëshmorëve dhe veteranëve të luftës, i cili rregullon edhe statusin e grave të dhunuara gjatë luftës. Më tutje presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e fuqizimit të gruas. Barazia gjinore, u shpreh ajo, është vlerë e shoqërisë të cilën duhet kultivuar. Ajo përmendi edhe rëndësinë e angazhimit për të realizuar Rezolutën për fuqizimin e gruas, si dhe Parimet e Prishtinës të dala nga Samiti ndërkombëtar i Gruas.

Ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, znj. Tracy Ann Jacobson tha se më e mira që mund të bëhet për vendin është të fuqizosh gruan. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të grave nga niveli qendror me atë lokal, sidomos në qeverisje të efektshme ku i jepet rëndësi edhe buxhetimit gjinor.

Takimin e përshëndeti edhe bashkënikoqiri i organizimit të kësaj jave, z. Alexander Chavarria, i cili shprehu kënaqësinë që NDI do të përkrahë gratë në politikë, lidership etj.

"Java e Gruas" do të vazhdojë punimet deri me 28 mars, kur edhe do të certifikohen për trajnimet e kryera 100 gra.

 

 

 

Filloi punimet “Java e Gruas