Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

E Hënë, 24.03.2014




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës , në mbledhjen e saj të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që Kuvendi të mblidhet të enjten, më27 mars, si dhe ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.

Pas shterimit të pikave të përhershme të rendit të ditës: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Më pastaj do të vazhdohet me zgjedhjen e Avokatit të Popullit, konform nenit 9.2 të Ligjit për Avokatin e Popullit.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Kurse për herë të dytë do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore (Komisioni funksional, nesër do ta procedojë raportin final për shqyrtim në seancë plenare).

Në vazhdim do të shqyrtohet Raporti vjetor i Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2013, Raporti vjetor i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2013, si dhe Raporti i Komisionit për Integrime Evropiane për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për ripranim.

Në përfundim të seancës, ndërkaq, pritet të miratohet Deklarata për partneritet ndërmjet Kuvendit dhe Shoqërisë Civile.

Duke e shqyrtuar kërkesën për Procedimin e Projektligjit për deputetë, të hartuar nga Komisioni për Legjislacion, Kryesia ka vendosur që projektligji i propozuar t'i dërgohet Qeverisë, për mendim.

Ndërkaq, sa i përket shkresës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit lidhur me ecurinë e Projektligjit për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Ndërmarrje Publike, anëtarët e Kryesisë janë pajtuar që të ngarkohet Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri (si komision funksional), që ta shqyrtojë shkresën dhe, mbi bazën e saj, ta njoftoj AKP-në për këtë çështje.

 

 

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës