Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Enjte, 20.03.2014
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar (një pjesë të saj e kryesoi nënkryetari Sabri Hamiti), shqyrtoi gjashtë projektligje në lexim të dytë.
Deputetja Salihe Mustafa, në emër të komisionit funksional, arsyetoi raportin e komisionit për Projektligjin për transplantimin e indeve dhe qelizave, nëpërmjet të cilit i rekomandohet Kuvendit miratimi i këtij projektligji. Kuvendi njëzëri miratoi projektligjin, me amendamentet e propozuara nga komisioni.
Në vazhdim, Kuvendi miratoi pesë projektligje të tjera, po ashtu në shqyrtim të dytë, me amendamentet e komisioneve funksionale: Projektligjin për themelimin e Agjencisë për shërbimet e Navigacionit Ajror, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, Projektligjin për Institutin e Kosovës për Administratë Publike dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre.
Raportet me rekomandime të komisioneve funksionale për këto projektligje, u arsyetuan nga përfaqësuesit e tyre: Zenun Pajaziti, Arben Gashi, Time Kadriaj dhe Xhevahire Izmaku.
Sa i përket statusit të viktimave civile të luftës, çështje kjo e ngritur nga deputetja Teuta Haxhiu, kryeparlamentari Krasniqi shtroi nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje ligjore.
Mbledhja filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërsa në pyetjet e deputetëve u përgjigj ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.