Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit
E Mërkure, 19.03.2014
Në vazhdimin e mbledhjes plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, (të filluar më 13 mars), kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë u kryesua nga nënkryetari Sabri Hamiti) u emëruan kryetari dhe anëtarët e Organit Shqyrtues të Prokurimit. Me këtë rast, kryetar është zgjedhur Hysni Hoxha, ndërkaq anëtarë: Ekrem Salihu, Tefik Sylejmani, Vjollca Kurteshi dhe Bajram Zogjani. U sqarua se mandati i të emëruarve është pesë vite.
Deputetët me votim të fshehtë votuan edhe për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, megjithatë edhe pas përsëritjes së dy votimeve të deputetëve asnjëri nga kandidatët nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme nga Kuvendi. Për këtë çështje Kuvendi do ta përsërisë konkursin.
Konkursi do të përsëritet edhe për zgjedhjen e një anëtari joekzekutiv në Bordin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, meqë asnjëri nga kandidatët po ashtu nuk mori votat e nevojshme.
Në vijim deputetët me votim të fshehtë emëruan tre anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media. Nga radhët e komunitetit shqiptar u zgjedhën këta anëtarë: Adnan Merovci, Driton Qeriqi dhe Anita Morina, ndërkaq, për dy kandidatë nga radhët e komuniteteve tjera përsëritet konkursi, meqë nuk morën vota të mjaftueshme. Tutje, Kuvendi formoi edhe Komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.
Më tej, Kuvendi shqyrtoi vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me ekzekutimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e ish-punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj, pas kërkesës për futje në rend ditë nga Komisioni për Buxhet dhe Financa. Komisioni për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar këtë vendim dhe i ka rekomanduar Kuvendit për miratim.
Si propozues i kësaj çështje foli kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke ftuar deputetët që të votojnë rekomandimet që kanë të bëjnë me këtë çështje. Ai tha se Qeveria i rekomandon Kuvendit që të kërkojë nga Agjensia Kosovare e Privatizimit, si pasardhëse e AKM-së, zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe se Qeveria në pajtim me kompetencat dhe përgjegjësitë do t'i kryejë obligimet që dalin nga aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Adem Grabovci, kryetar i Grupi Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, duke përkrahur kërkesën e Komisionit për Buxhet dhe Financa, tha se duhet të zgjidhet çështja e këtyre punëtorëve dhe se vendimi i Kuvendit i mundëson Qeverisë që ta zbatojë këtë vendim.
Ndërsa, kryetari i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri dhe deputeti Faton Topalli, në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kritikuan Qeverinë për faktin se ajo duhet të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, meqë ai vendim është i padiskutueshëm. Megjithatë, ata theksuan se përkrahin vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se vendimi i kësaj gjykate duhet të ekzekutohet nga qeveria
Donika Kadaj, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se është pro kërkesave të këtyre punëtorëve, por u shpreh se është për keqardhje që vendimet e gjykatave duhet të zbatohen vetëm në prag të fushatave. Pro kësaj çështje, u shpreh edhe Myzejene Selmani (KKR), e cila duke u thirrur në Ligjin për AKP-në, tha se të hollat e grumbulluara nga AKP-ja shpërndahen me një vendim të Kuvendit. "Këto të ardhura kryeministri i shpërndan me vendim të Kuvendit", tha Selmani.
Deputetët, me shumicë votash mbështetën vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me ekzekutimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e ish-punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj.
Sipas këtij vendimi, AKP-ja obligohet që të sigurojë pagesën e borxhit ndaj punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj, ndërkaq Qeveria në pajtim me kompetencat dhe përgjegjësitë që ka, të kryejë të gjitha obligimet që dalin nga aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese.