Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
E Marte, 18.03.2014
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Suzan Novobërdali, diskutoi lidhur me zbatimin e Ligjit për pensionet e personave me aftësi të kufizuar në Kosovë, përkatësisht përjashtimin e personave të shurdhër nga skema pensionale. Në takim ishin të pranishëm përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) si dhe përfaqësuesit nga Shoqata Kosovare e të Shurdhërve. Përfaqësuesi i shoqatës së të shurdhërve, Enver Kurtalani, pohoi se përjashtimi i kësaj kategorie nga skema pensionale, është pasojë e një vendimi të ministrit të MPMS-së. Ai tha se vendimi për heqjen nga skema pensionale e kësaj kategorie, bie ndesh me Ligjin për pensionet e personave me aftësi të kufizuar në Kosovë dhe me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Në vijim, Kurtalani tha se të drejtën e pensionit që nga viti 2004 e kanë realizuar mbi 1500 persona, ndërsa gjatë këtij viti nga skema pensionale janë hequr afër 700 prej tyre. Vlerësimet e Komisionit Mjekësore se aftësia e kufizuar e plotë dhe e përhershme nuk ekziston tek personat që u është refuzuar kërkesa për pension, ai i quajti të paarsyeshme dhe të papranueshme për shoqatën që ai përfaqësonte. Në fund të paraqitjes së tij, përfaqësuesi i kësaj shoqate kërkoi nga komisioni që të ngritë zërin, në mënyrë që personat e shurdhër në Republikën e Kosovës të gëzojnë të drejtën për pensionin e personave me aftësi të kufizuara.
Përfaqësuesi i MPMS-së, përkatësisht drejtori i Departamentit të Pensioneve, Sami Salihu, ndërkaq, fillimisht hodhi poshtë pohimet se përjashtimi nga skema pensionale është bërë me vendim të ministrit të MPMS-së. Lidhur me këtë ai tha:" Heqja nga skema pensionale e kësaj kategorie, nuk është bërë me vendim nga ministri. Se kush duhet të jetë në skemën pensionale, vendos Komisioni Mjekësor". Ai tutje sqaroi se në vendimet e atyre që u është refuzuar pensioni, është sqaruar se nuk i përkasin kategorisë së personave me aftësi të përhershme të kufizuar.
Anëtarët e komisionit, ndërkaq, pyetën përfaqësuesit nga MPMS-ja, se si është e mundur që deri më tani kjo kategori të ketë të drejtën e pensionit, ndërsa që nga ky vit të njëjtit persona me të njëjtën gjendje shëndetësore kjo e drejtë t'iu refuzohet. Lidhur me këtë, është vendosur që në mbledhjen e ardhshme të komisionit, të jepen përgjigje për secilin rast të refuzuar nga Komisioni Mjekësor.
Në këtë mbledhje, komisioni ka shqyrtuar edhe disa kërkesa dhe peticione të qytetarëve.