Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim
E Marte, 11.03.2014
Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, të cilin e ka udhëhequr znj. Jasmina Zhivkoviq, kryetare, ka mbajtur mbledhjen në të cilën pika kryesore e rendit të ditës ishte Monitorimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve zyrtare në Kosovë, me theks të veçantë, në shqyrtimin e Raportit vjetor të punës së Zyrës së Komisarit për Gjuhë, për vitin 2013.
Në mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit, kanë marr pjesë: komisari i Zyrës për Gjuhë, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Slavisha Mladenoviq, përfaqësuesi i OSBE-së, i ECMI Kosova dhe Këshillit Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentit të Kosovës.
Kryetarja e Grupit të punë znj. Jelena Bontiq, ka theksuar se Ligji për përdorimin e gjuhëve është miratuar në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2006, dhe duke u bazuar në mandatin e saj dhe me përgjegjësitë që dalin nga fushëveprimi i punës ka formuar Grupin e punës për kontrollin e zbatimit të ligjit. Faza e parë e mbikëqyrjes së ligjit në terren ka përfunduar dhe tani është në zbatim e sipër faza e dytë. Së shpejti, duhet filluar zbatimin e fazës së tretë të mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve zyrtare, me ç'rast theks të veçante do të kenë vizitat që do t'iu bëhen institucioneve qendrore, komunave dhe ndërmarrjeve publike, e gjithë kjo në kuadër të implementimit te ligjit të sipërpërmendur.
Komisari i Zyrës për Gjuhë, në kuadër te Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, z. Slavisha Mladenoviq, ka theksuar se Zyra e Komisarit për Gjuhë, mbikëqyrë zbatimin e ligjit, me qëllim të ruajtjes, avancimit dhe mbrojtjes së përdorimit të gjuhëve zyrtare në Republikën e Kosovës, gjuhëve zyrtare në nivelin komunal, gjuhëve për përdorim zyrtar në komuna, si dhe gjuhë të komuniteteve, të cilat nuk janë asnjëra nga gjuhët zyrtare. Gjithashtu, Zyra me juridiksionin e saj e mbulon përdorimin e gjuhëve në institucionet e Republikës së Kosovës dhe në organizatat e ndërmarrjet tjera, të cilat kryejnë funksione e shërbime publike në territorin e Republikës së Kosovës.
Në vazhdim z. Mladenoviq ka theksuar që kjo zyrë për një kohë ka kryer monitorimin e ueb faqeve zyrtare të ministrive dhe ka nxjerr përfundimin që shumica e ministrive nuk i publikojnë informatat në dy gjuhët zyrtare, nuk rifreskohen apo ky rifreskim i informatave bëhet vetëm në njërën gjuhë. Përveç kësaj, ka shumë gabime teknike si dhe sa i përket përkthimit, në shumicën e ueb faqeve të ministrive. Gjatë vitit 2013, në bashkëpunim me ECMI-në, janë mbajtur dy konferenca me temë: " Mbështetja e menaxhimit efektiv komunitetit jo shumicë në Kosovë". Në njërën nga mbledhjet e mbajtura në kuadër të këtij projekti, zyra, para zyrtarëve komunalë dhe shoqërisë civile ka folur për punën, mandatin dhe përgjegjësitë e saj.
Një tjetër bashkëpunim është krijuar në mbledhjet koordinuese regjionale ( gjithsej dhjetë), me institucionet lokale të Pejës, Mitrovicës, Prizrenit, Gjilanit e Prishtinës, dhe është bërë edhe prezantimi mbi rolin e kësaj zyre.
Po ashtu, gjatë vitit 2013, kjo zyrë rregullisht e ka informuar Qeverinë, Kuvendin e Kosovës, Këshillin për Politika Gjuhësore dhe institucionet ndërkombëtare, të cilat janë të interesuara për punën dhe veprimtarinë e Zyrën e Komisarit për Gjuhë.
Në fund të paraqitjes së tij, Slavisha Mladenoviq, komisar për gjuhë në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, theksoi se gjatë vitit 2013, Zyra e Komisarit për Gjuhë, ka pranuar gjithsej dhjetë ankesa, nga të cilat dy nuk ishin në juridiksionin e saj, shtatë të tjera, janë zgjidhur me ndërmjetësim , kurse pesë sosh janë në zgjidhje e sipër.