Lajmet e fundit

Vazhdimi i mbledhjes plenare

E Premte, 14.03.2014




Në vazhdimin e mbledhjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, deputetët shqyrtuan në lexim të parë Projektligjin për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, të cilin e prezantoi ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Me këtë rast, ministri Rexhepi sqaroi se ky projektligj ndalon qytetarët e Kosovës që të përfshihen në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës. Ai tha se me qëllim të mbrojtjes së interesit shtetëror dhe të sigurisë kombëtare MPB-ja ka marrë iniciativë për hartimin e projektligjit për përcaktimin e veprës penale, të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtritë ose policitë e huaja, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale në jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

"Është vërejtur një trend i rritjes së numrit të individëve të cilët me rritjen e vatrave të krizës në botë, me qëllim të realizimit të sferave të tyre të interesit po bashkangjiten në formë të organizuar apo të pavarur në kryengritje apo konflikte të ndryshme jashtë vendit. Pas një analize kemi ardhur në përfundim se kjo po bëhet për shuma të caktuara të parave apo privilegjeve tjera. Por, rreziku më potencial për rendin dhe sigurinë e vendit është se personat e tillë pas kthimit po bëhen bartës të aktivitetit propagandistik dhe nxitjes tek të tjerët për bashkim në pjesëmarrje në konflikte të tilla. Duke e parë këtë gjendje kemi konsideruar se është e nevojshme krijimi i kornizës ligjore për përndjekjen dhe gjykimin e personave që marrin pjesë në konflikte apo në çfarëdo forme të organizimit jo formal, paraushtarak apo para policor jashtë territorit të Republikës së Kosovës.", tha ministri i MPB-së.
Me këtë rast ministri Rexhepi tha se projektligji është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë, Prokurorinë, Gjykatën Supreme, Zyrën Ligjore të Zyrës së Kryeministrit, si dhe AKI-në, me ç‘rast janë dakorduar plotësisht lidhur me dispozitat e këtij ligji.
Sipas ministrit Rexhepi dënimet e parapara për kryesit e kësaj vepre penale sipas Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës janë adekuate, si dhe kontribuohet edhe në parandalimin e përgjithshëm të këtij fenomeni të dëmshëm për vendin.

Përkrahjen për këtë projektligj nga ana e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës e konfirmoi edhe deputeti Fatmir Xhelili. Ai vlerësoi se nëse ky ligj aprovohet në Kuvend do të jetë një veprim i cili do të parandalojë shumë aktivitete të qytetarëve tonë që të marrin pjesë në konflikte të armatosura nëpër vende tjera, të cilat e dëmtojnë imazhin e shtetit tonë.

Edhe deputeti Anton Çuni duke paraqitur qëndrimin pro këtij ligji nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, adresoi një sërë kritika për Qeverinë. Kjo, sipas tij nuk mjafton për të parandaluar shtetasit e Kosovës për pjesëmarrje në konflikte të armatosura jashtë vendit. "Kjo formë e ligjit është mos guxim i Qeverisë për të menaxhuar situata të tilla, sado që hartimi i projektligjit cilësohet me prioritet të lartë. ", tha Çuni duke sqaruar se LDK-ja gjatë amendamentimit të projektligjit do të jap kontributin e saj në mënyrë që ligji të bëhet sa më funksional dhe i zbatueshëm.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, duke paraqitur qëndrimin e Vetëvendosjes kundër këtij projektligji, tha se ligji paraqet problem të madh për fushën që mbulon dhe efektet që do t'i kemi karshi qytetarëve të Kosovës.
"Ligji është një lloj vetëizolimi i Kosovës. Jemi të gjithë të vetëdijshëm që Kosova ka pasur nevojë për ndihmë nga jashtë në etapa të caktuara të historisë dhe mund të ketë nevojë në të ardhmen për po të njëjtat ndihma, qoftë nga bashkatdhetarët apo të tjerë për të na ndihmuar në të ardhmen në ndonjë luftë të mundshme. ", tha Ymeri. Ndërkaq, Ahmet Isufi, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se projektligji është i përgjithësuar dhe duhet të specifikohen disa elemente të cilat e bëjnë një ligj të zbatueshëm. "Le të kuptohet se fjala është për shkuarje të individëve apo grupeve të caktuara të organizuara që nënkuptojnë apo që po ndodhin për interesa të ndryshme, qoftë terroriste, qoftë të përfitimeve materiale", tha Isufi duke shtuar se me rastin e amendamentimit të këtij ligji AAK-ja do të ofrojë elemente me substanciale në mënyrë që të bëhet një ligj sa më i zbatueshëm. Ndërsa, sqaroi se AAK-ja përkrah në parim këtë projektligj.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Koalicionit Kosova e Re, Myzejene Selmani, paraqiti qëndrimin pro të KKR-së për këtë projektligj, duke theksuar se qëllimi i këtij ligji do të arrihet pas amendamentimit nga komisionet përkatëse në mënyrë që qytetarët të mos marrin pjesë në konflikte të vendeve tjera për të cilat nuk kanë obligime kombëtare. Mbështetjen e Grupit Parlamentar 6+ e konfirmoi edhe Rasim Demiri.

Shumica e deputetëve gjatë diskutimit të tyre e vlerësuan këtë projektligj, duke shprehur qëndrimet e tyre pro, megjithatë u theksua fakti se Projektligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit ka disa mangësi, të cilat duhet të rregullohen gjatë shqyrtimit nëpër komisionet përkatëse.
Disa nga diskutuesit vlerësuan se ka një shpërputhje mes titullit të projektligjit dhe përmbajtjes, duke përmendur disa elemente të cilat duhet të ndryshohen. Ndërkaq, disa nga deputetët kundërshtuan këtë projektligj, duke theksuar se në bazë të kësaj kornize ligjore shkelen parimet themelore të demokracisë dhe parimet që bien në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Projektligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, u mbështet në parim nga deputetët e Kuvendit.

Në vijim deputetët shqyrtuan dhe përkrahën edhe Projektligjin për Shërbimin Gjeologjik të Kosovës, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Deputetët shqyrtuan dhe përkrahën edhe Planin Hapësinor " Monumenti i Natyrës me rëndësi të Veçantë Ujëvarat e Mirushës",Planin Hapësinor Zona e Mbrojtur me Interes të Veçantë " Beteja e Koshares", si dhe propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për hartimin e Planit Hapësinor të Parkut Kombëtar " Bjeshkët e Nemuna", të cilat i prezantoi ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi.

Tutje, u shqyrtua dhe u përkrah Raporti i Komisionit për Punë të Jashtme për Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare, të cilin raport me rekomandime të Komisionit e paraqiti deputeti Albin Kurti, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme. U theksua se gjatë mbikëqyrjes së zbatimit të këtij ligji, Komisioni ka konstatuar se Ligji për marrëveshjet ndërkombëtare është duke u zbatuar, megjithatë ka identifikuar disa mangësi dhe ngecje në zbatim.

Kuvendi ndërpreu punimet pas kërkesës së kryetares së Grupit parlamentar të KKR-së, Myzejene Selmani, që mbledhja e Kuvendit të vazhdojë gjatë javës së ardhshme.

 

 

Vazhdimi i mbledhjes plenare