Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti ministrin e jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati

E Premte, 14.03.2014




Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, përvoja e Tiranës zyrtare në procesin e integrimit euro-atlantik dhe përfshirja e mundshme e Kosovës në një varg iniciativash e organizatash rajonale, ishin çështjet kryesore të diskutuara në takimin e sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, me ministrin e jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati.

Pasi u bëri një përshkrim marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe objektivave të diplomacisë shqiptare në raport me Kosovën, të kodifikuara nga dokumentin e partneritetit strategjik, ministri Bushati theksoi se vizita e tij në Kosovë ka të bëjë me gjetjen e mundësive për eliminimin e një varg pengesave që po hasen gjatë këtij bashkëpunimi.

Duke shprehur gatishmërinë dhe interesimin e qeverisë shqiptare për të vënë në dispocizion të Kosovës të gjithë përvojën e Tiranës në procesin e integrimit euro-atlantik, ministri i jashtëm shqiptar përmendi një varg nismash rajonale, në të cilat Shqipëria është anëtare dhe anëtarësimi i Kosovës në to do të paraqiste rëndësi të madhe për vendin tonë. Ai bëri të ditur se Shqipëria ka radhën e kryesimit të Kartës së Adriatikut, ndërsa çmoi hapat e Kosovës në transformimin e Forcës së Sigurisë së saj.

Kryeparlamentari Krasniqi paraqiti qëndrimet e tij lidhur me nevojën e shfrytëzimit, nga ana e të dy qeverive, të mundësive dhe të realitetit të krijuar në rajon, në funksion të zgjerimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Krasniqi qëndroi prapa idesë për krijimin e një tregu të përbashkët ndërmjet dy vendeve, si mundësi për një zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe ngritje të mirëqenies së qytetarëve. Kreu i Kuvendit të Kosovës çmoi rrugën evropiane të Shqipërisë dhe përvojën e saj në këtë proces.

"Ne u gëzohemi arritjeve të Shqipërisë. Prezenca e saj në organizata rajonale e euro-atlantike është e mirë edhe për Kosovën, sepse ne shohim një zë tonin në këta mekanizma", theksoi kryeparlamentari Krasniqi.

Fokus i diskutimeve në këtë takim ishin edhe marrëdhëniet ndërparlamentare dhe nevoja e gjetjes së mundësive të reja të bashkëpunimin në këtë fushë.

U fol edhe për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në Maqedoni dhe Mal të Zi.

Shefi i diplomacisë shqiptare, i përcolli kryetarit Krasniqi përshëndetjet e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, si dhe dëshirën e këtij të fundit për ta vizituar Kosovën në një të ardhme të afërt.

Gjatë takimit, ministri i jashtëm shqiptar shoqërohej nga ambasadori i ri i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

 

 

Kryeparlamentari Krasniqi priti ministrin e jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati