Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 12.03.2014
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare, shqyrtoi dy raporte vjetore dhe katër projektligje.
Komisioni shqyrtoi raportin vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRrPP) për vitin 2013, të cilin para deputetëve e paraqiti kryetari i këtij komisioni, Safet Hoxha.
Gjatë raportimit, kryetari Hoxha paraqiti hollësi nga puna njëvjeçare e organit që ai udhëheq, prezantoi të arriturat, por edhe sfidat e problemet me të cilat është ballafaquar KRrPP-ja. Në mënyrë që t'u dilet mbanë punëve të shumta me të cilat është i ngarkuar ky organ, ai shtroi nevojën e zgjerimit të stafit të këtij organi.
Pas përgjigjeve dhe sqarimeve të kryetarit Hoxha në pyetjet dhe çështjet e ngritura nga ana e deputetëve, komisioni përkrahu raportin dhe i rekomandoi seancës plenare miratimin e tij.
Më pas u shqyrtua raporti vjetor i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik për vitin 2013, ndërsa si pasojë e mungesës së bordit, ai nuk u prezantua në mbledhje. Nga anëtarë të komisionit u konsiderua se moszgjedhja e bordit të këtij organi, ka shkaktuar probleme serioze në shqyrtimin e ankesave që lidhen me prokurimin. Përkundër kësaj, komisioni e procedoi raportin për shqyrtim në seancë.
Në vazhdim, komisioni përkrahu Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për regjistrimin e bujqësisë dhe atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, me amendamentet e komisioneve funksionale, me konstatimin se ato nuk përmbajnë kosto shtesë buxhetore.
Në këtë mbledhje u shqyrtua edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit, i hartuar nga grupi punues i Komisionit për Buxhet dhe Financa. Kryetari i këtij grupi, Naser Osmani, tha se ky plotësim-ndryshim vjen si rezultat i monitorimit të zbatimit të Ligjit për lojërat e fatit dhe rekomandimit të Kuvendit për plotësim-ndryshimin e ligjit dhe ndalimin e lojërave të fatit për automate dhe bastore. Në vazhdim, deputeti Osmani foli në hollësi për përmbajtjen e projektligjit dhe arsyetoi punën e grupit punues.
Në komision u dhanë vlerësime për efektet pozitive që mund të ketë ky projektligj, por u shfaq edhe droja për mundësinë e rritjes së informalitetit në këtë lloj biznesi. Komisioni e përkrahu projektligjin në parim dhe i rekomandoi Kryesisë së Kuvendit që ta procedojë për mendim në qeveri.
Komisioni vendosi që ta procedojë për seancë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për prokurimin publik, edhe pa raportin e Komisionit për Legjislacion, për faktin se, siç u potencua, kanë kaluar të gjitha afatet e parapara me Rregullore, kur komisionet e tjera kryesore duhet të sillnin raportet e tyre për projektligjin.