Lajmet e fundit

Grupi i Grave Deputete mbajti një takim me Gratë nga regjioni i Mitrovicës

E Mërkure, 12.03.2014




Në këtë takim anëtarja e bordit të GGD znj Donika Kadaj Bujupi , duke i përshëndetur të pranishmit ka shprehur kënaqësinë e veçantë për inaugurimin e grupeve të grave të asambleve lokale, aktivitet ky që mbështetet nga OSBE-ja. "Ne kemi presidenten, kemi gra në Qeveri, në Parlament, dhe jam shumë e lumtur që tani në komunën e Vushtrrisë tri drejtori udhëhiqen nga gratë" ka theksuar deputetja , duke përmendur numrin e konsiderueshëm të grave nëpër asamble.Ajo, ndërkaq, ka theksuar se sfidë e shoqërisë sonë mbet gruaja e zakonshme, në qytet dhe fshat, sepse asaj nuk po i jepet mundësi për tu angazhuar dhe shfaqur kapacitetin e sajë , e për më keq, ajo nuk po ka mundësi punësimi dhe aktiviteti afarist, por përballet me shumë peripeci për mirëqenien, apo edhe mbijetesën e familjes. Ajo nuk gëzon kurrfarë shpërblimi për punën, kurse rritja e fëmijëve është sfidë në vete kur jemi i vetmi vend në rajon që nuk kemi shtesa fëmijërore, ka theksuar Donika Kadaj- Bujupi.


Ajo tutje ka theksuar se gruaja është një rreth i plotësuar, brenda së cilës ekziston fuqia për të krijuar, kujdesur dhe transformuar. "Ne na është dashur shumë kohë për të zhvilluar zërin tonë. Sot pasi e kemi, asnjëherë mos të qëndrojmë të heshtura", ka përfunduar deputetja.


Kurse drejtori i OSBE nga Qendra rajonale në Mitrovicë z. Bo-Evert Linne tha: "OSBE-ja është e vendosur të përkrahë fuqizimin e gruas dhe promovimin e barazisë gjinore , e në këtë rast është me interes që të rritet roli i grave në qeverisjen lokale".


Më pastaj në takim foli kryesuesja e Kuvendit të Gjilanit, Valentina Bunjaku- Rexhepi, si dhe asambleiste të tjera. Ato u pajtuan njëzëri që së bashku të angazhohen edhe më shumë për ta fuqizuar rolin e gruas në të gjitha nivelet dhe në të gjithë sektorët.

Grupi i Grave Deputete mbajti një takim me Gratë nga regjioni i Mitrovicës