Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Mërkure, 12.03.2014
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës, i udhëhequr nga kryetari Fikrim Damka, shqyrtoi sot dy projektligje.
Anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe përkrahën njëzëri amendamentet e propozuara nga grupi punues për Projektligjin për transplantimin e indeve dhe qelizave, i cili u procedua për shqyrtim të mëtejmë në komisionet kryesore të Kuvendit.
Ndërkaq, për në seancë, u procedua Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës,viktimave civile dhe familjarëve të tyre. U lexua gjithashtu, edhe vlerësimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa, sipas të cilit, ky projektligj përmban implikime buxhetore shtesë, të cilat do të duhej të parashihen në Kornizën e Ardhshme Buxhetore (në ligjet vjetore të buxhetit dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve) brenda pesë viteve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.