Lajmet e fundit
Dëgjim publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...
E Marte, 11.03.2014
Në dëgjimin publik të organizuar sot nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, u diskutua lidhur me zbatimin e Ligjit për personat e verbër.
Takimin e kryesoi Suzan Novobërdali, kryetare e komisionit, ndërkaq, Kymete Bajraktari, kryesuese e grupit punues për monitorimin e ligjit, njoftoi për ecurinë e monitorimit të tij. Lidhur me këtë, ajo njoftoi se gjatë monitorimit të ligjit, janë vizituar të gjitha ministritë dhe institucionet e tjera relevante që kanë për obligim krijimin e kushteve për zbatimin e këtij ligji. Duke folur për shkaqet që kanë ndikuar në moszbatimin e ligjit, Bajraktari vuri në dukje mungesën e akteve nënligjore, të cilat nuk janë miratuar nga ministritë e linjave përkatëse. Përfaqësuesi i Zyrës së kryeministrit për qeverisje të mirë, Habit Hajredini, duke folur për angazhimet e kësaj zyre rreth zbatimit të ligjit, tha se ata mbeten të përkushtur që ligji të gjejë zbatim të plotë. Ai në vijim u shpreh se Zyra e kryeministrit në vijimësi është përpjekur për një koordinim sa më të mirë ndërministrorë, kurse përsa u përket akteve nënligjore ai tha se nuk është në domenin e kësaj zyre për të nxjerrë akte të tilla.
Në emër të Shoqatës së të verbërve të Kosovës foli Bujar Kadriu, i cili fillimisht falënderoi anëtarët e Komisionit për punën e deri tashme dhe përkushtimin e tyre për zbatimin e ligjit. Ai vlerësoi se shkas i moszbatimit të plotë të ligjit mbeten aktet nënligjore të cilat disa nga minstritë ende nuk i kanë nxjerrë. Me këtë rast ai përmendi Ministrinë e Infrastrukturës dhe atë të Shëndetësisë, ndërsa lavdëroi Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale për përkushtimin e treguar për zbatim të ligjit.
Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), foli zëvendësministri i kësaj ministrie, Shemsi Veseli. Ai tha se MSH-ja ka ofruar përkujdesje të vazhdueshme shëndetësore për këtë kategori, ndërsa vuri në spikamë trajtimin e 250 personave, të cilëve u është ofruar shërbimi falas për vendosje të protezave të syrit. Sa i përket akteve nënligjore, Veseli tha se ato nuk mund t'i nxjerrin duke seleksionuar njerëzit në nevojë, sepse do të binin ndesh me konventat ndërkombëtare, mbi bazën e të cilave shërbimi mjekësor u ofrohet pa dallim të gjithë njerëzve në nevojë.
Lidhur me këtë, foli edhe këshilltarja e ministrit të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Selvie Halimi. Ndonëse kjo ministri nuk është e obliguar në nxjerrjen e akteve nënligjore, ajo vuri në dukje formimin e një grupi punues për hartimin e dy programeve arsimore për persona të verbër të rritur. Ajo foli edhe për një memorandum bashkëpunimi, të nënshkruar në mes të Ministrisë dhe Shoqatës së të verbërve të Kosovës, i cili është duke u zbatuar. Me këtë rast, ajo paralajmëroi edhe hapjen e shkollës së ultë të muzikës në qytetin e Pejës.
Se mungesa e akteve nënligjore është pengesë e implementimit të ligjit, ishte e mendimit edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Minire Begaj. Ajo pasi potencoi sfidat që hasin në implementimin e ligjit, foli edhe për iniciativat e marra prej tyre e që do të ndikojnë në implementim më të lehtë të ligjit. Me këtë rast, ajo shpjegoi për librezat e posaçme me të cilat kjo ministri do të pajisë secilin të verbër. Në këto libreza, tha ajo, do të përshkruhen qartë nevojat e të verbrit, ndërsa ministria është duke hartuar projekte edhe për aftësimin profesional të të verbërve. Po ashtu, ajo ka folur edhe për mangësitë e ligjit. Sipas saj, neni i cili trajton çështjen e përcjellësit të të verbrit, duhet të jetë i definuar më qartë dhe kërkoi amendamentimin e tij.
Në emër të Ministrisë së Financave foli, Menteres Ibra. Ai fillimisht ka sqaruar se kjo ministri nuk ka nevojë për nxjerrje të akteve nënligjore, sepse, sipas tij, neni gjashtë i ligjit përcakton qartë bazën e tatimit të të ardhurave personale. Ai po ashtu sqaroi se kostoja e këtij ligji është 1.8 milion euro, të cilat me kohë ministria i ka siguruar.
Edhe përfaqësuesit e shoqatave tjera përgëzuan Komisionin për punën e deritashme, ndërkaq u zotuan se vërejtjet dhe rekomandimet që kanë do t'i dërgojnë me kohë.