Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Marte, 11.03.2014
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Vjosa Osmani, u shqyrtuan dhe u përkrahën këto projektligje, me amendamentet e komisioneve funksionale, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së: Projektligji nr. 04/L-190 për produktet medicinale dhe pajisje medicinale, Projektligji nr. 04/L-253 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/L-127 për regjistrimin e bujqësisë, si dhe Projektligji nr. 04/L-247 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/L-61 për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore.
Komisioni po ashtu shqyrtoi edhe raportin e grupit të punës për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit nr. 03/L-208 për Ripranim, të cilin e prezantoi anëtarja e komisionit, Blerta Deliu-Kodra.
U tha se Ligji për Ripranim është i zbatueshëm, por me disa mangësi dhe se duhet të ndërmerren masa për gjendjen në teren. Lidhur me këtë u paraqitën rekomandimet e grupit të punës gjatë monitorimit të këtij ligji, ndërkaq, anëtarët e komisionit paraqitën edhe disa vërejtje dhe rekomandime shtesë, të cilat morën mbështetjen e anëtarëve të komisionit.