Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës

E Marte, 11.03.2014




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, u diskutua rreth procesit të Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë në Kosovë. U tha se ky dokument është në përputhshmëri me standardet e NATO-s dhe se Qeveria duhet t'i përmbahet kësaj agjende.

Kryetari i Komisionit, Ahmet Isufi, tha se nga takimet e Komitetit Drejtues të Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë, janë aprovuar dokumentet bazë të cilat kanë të bëjnë me ndryshimin që duhet të ndodh në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi, që kanë të bëjnë me sektorin e sigurisë.
Gjatë diskutimit të anëtarëve të Komisionit, u theksua se krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës do të krijojë paqe dhe stabilitet në rajon. Ndërkaq, u tha se krijimi i FAK-ut nuk duhet të negociohet me Serbinë.

Po ashtu, u sqarua se në këtë dokument është punuar rreth dy vite dhe se kanë marrë pjesë të gjitha institucionet e sigurisë, si dhe përfaqësues të NATO-s, ndërkaq dokumenti është aprovuar nga Komiteti i Sigurisë, Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe nga Qeveria, ndërsa do të aprovohet edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me ndryshimet që pritet të ndodhin gjatë këtij procesi.

Kryetari i Komisionit, Ahmet Isufi më tej sqaroi se ky dokument do të trajtohet edhe në Gjykatën Kushtetuese, duke përmendur faktin se ka të bëjë me ndryshime kushtetuese.

 

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës