Lajmet e fundit

Nga tryeza e punës së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...

E Hënë, 10.03.2014




Në tryezën e sotme të organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, u diskutua lidhur me barazinë gjinore në institucionet e Kosovës. Në hapje të debatit foli Suzan Novobërdali, kryetare e Komisionit. Ajo pasi vuri në pah rëndësinë e trajtimit të barabartë të gjinive dhe zbatimin e plotë të Ligjit për barazi gjinore, i siguroi të pranishmit se komisioni që ajo udhëheqë, do të jetë i angazhuar për zbatimin e plotë të të gjitha ligjeve që kanë të bëjnë me barazinë gjinore.

Në emër të Grupit të Grave Deputete në Kuvendin e Kosovës, ndërkaq, foli Albulena Haxhiu. Ajo vlerësoi se neni tre i Ligjit për barazi gjinore, i cili parasheh pjesëmarrjen e gruas në të tria nivelet qeverisëse (legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor), nuk është duke u zbatuar. Po ashtu, sipas saj, zbatim të pamjaftueshëm hasim edhe te neni 13 pika 13 e ligjit, e që ka të bëjë me trashëgiminë.

Lidhur me këtë, ka folur edhe përfaqësuesi i NDI-së, Alexander Chawaria. Ai pasi përgëzoi komisionin për debatin e organizuar, u shpreh për mbështetje të pakursyer në punën e komisionit dhe Agjencisë për Barazi Gjinore, deri në përmbushjen e plotë të të drejtave të grave.

Për të arriturat dhe sfidat e Agjencisë për Barazi Gjinore, ka folur përfaqësuesja e këtij agjencioni, Edi Gusia. Duke folur për Planin e Veprimit të miratuar nga Qeveria, e që ka të bëjë me barazinë gjinore, Gusia tha se ai përmban tri shtylla: pjesëmarrjen e shtuar të grave në vendimmarrje, perspektiva gjinore e integruar dhe pjesëmarrja e rritur e grave në strukturat e sigurisë, si dhe mbrojtja e viktimave të dhunës seksuale, torturës dhe formave të tjera të dhunës. Ajo po ashtu ka folur edhe për hulumtimet, fuqizimin ekonomik dhe mbështetjen në forma të tjera që ky agjencion i'u ka ofruar në vijimësi grave. Për sa u përket sfidave, ajo është fokusuar në amendamentimin e Ligjit për barazi gjinore, buxhetin e pamjaftueshëm dhe pozicionimin e zyrtareve të Agjencionit për Barazi Gjinore në ministritë e linjës.

Se Ligji për barazinë gjinore nuk po gjen zbatim të mjaftueshëm, ishte e mendimit edhe Saranda Bllaca, nga iniciativa" Gjysma e popullatës", e cila iu referua një hulumtimi të bërë në të gjitha komunat e Kosovës. Sipas këtij hulumtimi, Bllaca tha se në asnjë nga komunat nuk është përmbushur kuota e paraparë për pjesëmarrje të grave në masën prej 30%. Ngjashëm u shprehën edhe Luljeta Vuniqi (QKSGJ) dhe Isuf Halimi (ISDY-SEE).

Në fund të debatit, anëtarët e komisionit dhe pjesëmarrësit, formuluan një sërë rekomandimesh për Qeverinë.

 

Nga tryeza e punës së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...