Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

E Hënë, 10.03.2014




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës , në mbledhjen e saj të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, e ka konfirmuar dhe plotësuar rendi e ditës për seancën e 13 marsit.

Duke filluar në orën 10:00 do të procedohet me pikat e papërfunduara nga seanca plenare e filluar më 27 shkurt 2014 (votimi i rekomandimeve nga tri debatet e mbajtura parlamentare).

Në seancën e re të rregullt, si rëndom, deputetët do të kenë rastin të bëjnë deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe të shtrojnë pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë seancë do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për Provimin Përfundimtar dhe Provimin e Maturës Shtetërore, si dhe Projektligji për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për herë të dytë, ndërkaq,do të shqyrtohen: Projektligji për Shërbimin Gjeologjik të Kosovës, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Për të njëjtën seancë është paraparë shqyrtimi i planeve për tri parqe natyrore: Plani Hapësinor " Monumenti i Natyrës me rëndësi të Veçantë Ujëvarat e Mirushës", Planit Hapësinor Zona e Mbrojtur me Interes të Veçantë " Beteja e Koshares", si dhe Propozim-vendimi i Qeverisë së Kosovës për hartimin e Planit Hapësinor të Parkut Kombëtar " Bjeshkët e Nemuna".

Në vazhdim do të shqyrtohet Raporti i Komisionit për Punë të Jashtme për Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe rekomandimet e Organit përzgjedhës të pavarur për emërimin e kryetarit dhe të anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Në pjesën e fundit të seancës do të procedohet me zgjidhen e Avokatit të Popullit, të një anëtari joekzekutiv në Bordin e BQK-së , si dhe do të shqyrtohet propozimi për emërimin e kryesuesit dhe të pesë anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media ( të gjithë këta do të zgjidhen me votim të fshehtë në seancën e Kuvendit).

Duke shqyrtuar kërkesën për procedimin e Projektligjit për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme, Kryesia e ka ngarkuar Komisionin për Legjislacion, si komision funksional, që ta shqyrtojë Projektligjin në parim dhe Kuvendit t'ia paraqes raportin me rekomandime, para shqyrtimit të parë në seancë plenare.

Lidhur me propozimin për formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Mediave ( i cili do të ketë nëntë anëtarë), Kryesia kërkon nga grupet parlamentare që, deri në ditën e mbajtjes së seancës, të propozojnë kryetarin, zëvendëskryetarët dhe anëtarët e Komisionit.

Kryesia ka vlerësuar se kërkesa e nënkryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i mbështetur edhe nga gjashtë deputetë tjerë nënshkrues, për miratimin e Deklaratës për partneritet ndërmjet Kuvendit dhe shoqërisë civile, i plotëson kushtet formale për procedim mbledhjen plenare ( brenda tri javësh pune, nga dita e shqyrtimit në Kryesinë e Kuvendit).

Kryesia e Kuvendit nuk është pajtuar me kërkesën e e Ministrisë së Financave për shkurtimin e buxhetit të Kuvendit (për vitin për 2014)në kategorinë Mallra dhe Shërbime dhe komunali, të bazuar sipas një vendimi paraprak të Qeverisë.

Kryesia ka lejuar udhëtimet zyrtare jashtë vendit të disa grupeve të deputetëve, si dhe është njoftuar me disa udhëtime të realizuara gjatë ditëve të shkuara.

 

 

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës