Lajmet e fundit

Kryeparlamntari Krasniqi mori pjesë në inagurimin e Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

E Premte, 07.03.2014




Kryetari i Kuvendit të Kosovës dr. Jakup Krasniqi, me rastin e inagurimit zyrtar të Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, ka mbajtur edhe një fjalë rasti.

Pasi i ka përshëndetur bartësit e institucioneve qendrore të Kosovës dhe përfaqësuesit e huaj diplomatik në Kosovë, Krasniqi në fjalën e tij ka thënë: "Lufta e fundit popullit të Kosovës i shkaktoi humbje të jashtëzakonshme në njerëz, ekonomi e trashëgimi kulturore në përmasa gjenocidale. Ajo ishte e atyre përmasave ku nuk u kursye asgjë njerëzore, materiale e as morale. Në këtë kontekst dhuna e ushtruar nga sistemi shtetëror serb kaloi përthëkimet e mendjes njerëzore.

Dhuna seksuale e ushtruar nga forcat militare serbe ndaj grave dhe vajzave në Kosovë përbën aktin më të turpshmin dhe më të shëmtuarin që ka ndodhë në botën e civilizuar të fundshekullit të XX-të."

Tutje kreu i Kuvendit ka theksuar se ky akt përbën shkelje drastike ndaj të drejtave të njeriut dhe si i tillë ishte krim i rënd kundër njerëzimit, i sanksionuar me konventa ndërkombëtare.

"Kosova ,pse pas një periudhe relativisht të gjatë nga përfundimi i luftës, e ka në miratim e sipër plotësim ndryshimin e Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave Civile dhe familjeve të tyre ku janë përfshirë si kategori e veçantë edhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës", ka pohuar Krasniqi , duke tërhequr vëmendjen se ky ligj është në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare dhe është i harmonizuar me akte të brendshme dhe konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut me theks të veçantë të të drejtave të viktimave seksuale gjatë luftës, siç janë:

- Konventa Ndërkombëtare për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimin të Gruas,
- Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 13 25, 18 20 dhe
- Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Ai ka vënë në pah se ligji i sipërpërmendur do ta kompletoj infrastrukturën ligjore në respektimin e të drejtave njerëzore të të gjitha kategorive të prekura nga lufta në Kosovë.

"Është e domosdoshme dhe parësore fuqizimi dhe përkrahja financiare e institucioneve përkatëse shtetërore të ngarkuara për trajtimin e çështjeve gjinore në Kosovë e veçanërisht të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës", e ka përfunduar fjalën e tij kryeparlamentari Krasniqi, me rastin e inagurimit të Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

 

Kryeparlamntari Krasniqi mori pjesë në inagurimin e Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës