Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi mbajti një fjalë në Akademinë Përkujtimore me rastin e 16-vjetorit të Epopesë së UÇK-së
E Enjte, 06.03.2014
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mbajti sot një fjalë në Akademinë Përkujtimore me rastin e 16-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, që u mbajt në ambientet e Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Duke iu drejtuar të pranishmëve ai në fillim theksoi se këto ditë marsi Kosova po qëndron gatitu në përkujtim të emrit, jetës, veprës dhe rënies heroike të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, familjes së tij të madhe dhe gjithë dëshmorëve të kombit. Ata, ashtu siç ishin bashkë, ranë në altarin e lirisë, për t'u bërë vetëdijshëm kurbanë në themelet e saj dhe për të mos vdekur kurrë. Rëniet e Mëdha askund në Botë nuk harrohen, as shekujt nuk mund t' i mbulojnë me vellon e harresës, ne shqiptarët nuk guxojmë të harrojmë aktin e madh të flijimit të Jasharëve Legjendar.
Duke i bërë një portretizim figurës emblematike të Adem Jasharit, kryekuvendari Krasniqi në vijim theksoi se Adem Jashari ishte personaliteti i duhur, për t'u bërë simboli, jeta, gjaku e forca e rezistencës së armatosur të Kosovës në kapërcyell të shekullit të kaluar. Fundi i vitit 1997 dhe fillimi i vitit 1998, shënojnë intensifikimin e veprimeve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në ballë të të cilave printe vetë komandanti Adem Jashari. Pagëzimin e zjarrit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari e kishte bërë vite më herët, por forcat pushtuese, me gjithë përpjekjet e ethshme nuk kishin arritur të ndalonin marshimin dhe rritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 5 mars 1998, vetëm pak ditë pas goditjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbi forcat serbe në Likoshan e Qirez dhe vetëm një muaj e gjysmë pas desantit serb mbi familjen Jashari, tre muaj nga shfaqja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e diçka më shumë se shtatë vite nga habertarja çlirimtare e Formacionit të armatosur të Adem Jasharit, regjimi pushtues i kriminelit Milosheviq, i bëri rrethim të hekurt familjes Jashari në Prekazin e legjendave të trimërisë shqiptare. Duke e trajtuar me të drejtë si zemrën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandantin Adem Jashari dhe familjen e tij, strategët ushtarakë serbë projektonin madje edhe zhbërjen e vetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëpërmjet vrasjes së Jasharëve legjendarë. Por ata nuk e kishin mësuar të vërtetën e madhe historike të verbuar nga shovinizmi i egër i tyre se ideali nuk vritet me plumba e as me terror, por rritet në gjak lirie. Rënia heroike e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dhjetëra familjarëve të tij, nuk qe fundi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por fillimi i masivizimit e i mobilizimit të saj. Kombi ynë u bashkua rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, falë flakadanit të ndezur në Marsin e Adem Jasharit.
Gjaku i Jasharëve bëri lumin e Rubikonit të Kosovës, mbi të cilin nuk do të kthehej as do të shkelte Ushtria jonë Çlirimtare. Brezat e këtij vendi, si atëherë edhe sot e gjithmonë, do të jenë përtej atij lumi dhe në mbrojtje të lirisë e të idealeve të larta e fisnike të komandantit legjendar, Adem Jashari. Ngado që të nisesh për të shkuar në nderim të 17 shkurti 2008, te Pavarësia e Kosovës, të gjitha rrugët të çojnë në Prekazin e Adem Legjendarit.Në këtë kuptim, komandanti Adem Jashari është dhe do të mbetet përjetësisht i gjallë. Emri, personaliteti dhe figura e ndritur e Komandantit Legjendar - Adem Jashari janë dhe do të mbeten burim edukimi patriotik i brezave të pambarim të Kosovës dhe frymëzim e mobilizim për të ardhmen e lirë e sovrane, demokratike dhe në zhvillim të vazhdueshëm e të gjithanshëm të Atdheut tonë të shtrenjtë.
Në vijim të fjalës së tij kryekuvendari Krasniqi tha:"Ne përfaqësuesit dhe politikanët e popullit tonë, sot e nesër, duhet të mësojmë kokunjur nga jeta e Adem Jasharit, nga vepra dhe nga vlerat morale, politike e kombëtare që përfaqësonte. Ideali i lartë i Adem Jasharit duhet të mbisundojë interesat meskine e përfitimet personale, nderi e guximi i tij, duhet të qëndrojnë mbi ligësitë e shpirtit dhe frikën qyqare politike, vetëmohimi i tij për interesin e përgjithshëm, duhet t'i mundë shpirtin e ngushtë e egon e sëmurë. Adem Jashari na mëson si ta duam Kosovën, si t'i qëndrojmë besnik interesit madhor të saj, si t'i japim çdo ditë diçka nga vetja jonë, dhe jo të marrim e të zhvatim prej saj, na mëson se vetëm me virtyte të larta njerëzore mund të fitohen, jo vetëm betejat çlirimtare, por edhe ato shtetndërtuese, progresiste e prosperuese të vendit tonë të shumëvuajtur", theksoi kreu i legjislativit të vendit, Jakup Krasniqi.