Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

E Mërkure, 05.03.2014




Në kuadër të reformës shëndetësore dhe të rregullimit ligjor të fushës së sigurimeve shëndetësore, Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryetarja e parë, Time Kadriaj, ka mbajtur sot dëgjim publik, në të cilin është diskutuar për Projektligjin për Sigurime Shëndetësore.

Përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, të Ministrisë së Punës e Mirëqenies Sociale, Odës së Mjekëve të Kosovës, Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, të UNICEF-it e të organizatave të tjera, të pranishëm në këtë dëgjim publik, si dhe anëtarë të komisionit, diskutuan gjerësisht rreth përmbajtjes së këtij projektligji, dhanë vërejtje e sugjerime rreth neneve të caktuara të tij.

Duke e arsyetuar mbajtjen e këtij dëgjimi publik, zëvendëskryetarja Kadriaj tha se rekomandimet dhe propozimet e të ftuarve do të shqyrtohen nga komisioni, në funksion të përmirësimit të projektligjit dhe rregullimit sa më të mirë të kësaj fushe.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, e konsideroi projektligjin si një prej më të rëndësishmëve gjatë këtij mandati, si pjesë e pakos reformuese në fushën e shëndetësisë, duke mëtuar ta vejë këtë sektor në themele të reja dhe funksionim shumë të më të mirë, sipas standardeve evropiane.

"Me këtë projektligj parashihet që në vitin 2015 sistemi shëndetësor i vendit të fuqizohet me 60 milionë euro të tjera, ndërsa në vitet pasuese deri në 85 milionë euro plotësuese, mbi buxhetin i cili ndahet për sektorin e shëndetësisë", theksoi ministri Agani. Ai shtoi se projektligji synon të sigurojë qasje universale të qytetarëve në shërbime cilësore shëndetësore, në radhë të parë për kategorinë e qytetarëve me vështirësi financiare.

Përfaqësuesja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Minire Begaj, tha se janë harmonizuar qëndrimet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe se ky projektligj paraqet bazën ligjore për sigurime shëndetësore.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, tha se është kërkesë e të gjithë qytetarëve që Kosova ta ketë Ligjin për sigurime shëndetësore, por shtroi nevojën e një diskutimi edhe më të gjerë me të gjitha strukturat që prek ky projektligj. Njëherësh, ai paraqiti disa vërejtje lidhur me aspekte përmbajtësore të projektligjit.

Afrim Gjonbalaj nga Oda e mjekëve të Kosovës, projektligjin e konsideroi të vonuar por shumë të domosdoshëm për mbarëvatjen e sigurimeve shëndetësore.

Në vazhdim, përfaqësues të organizatave të tjera joqeveritare, paraqitën vërejtjet dhe sugjerimet e tyre, duke e konsideruar këtë projektligj të një rëndësie të veçantë për qytetarët e Kosovës.

Zëvendëskryetarja e komisionit, Time Kadriaj, duke e konsideruar të frytshëm këtë dëgjim publik, tha se propozimet e vlefshme do të merren parasysh nga komisioni dhe do të inkorporohen në projektligj gjatë amendamentimit të tij.

 

 

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie SocialeNga dëgjimi publik i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale