Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 05.03.2014




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare, shqyrtoi Raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2013, si dhe tri projektligje, me amendamente të komisioneve funksionale.

Komisioni shqyrtoi Projektligjin për produkte medicinale dhe pajisje medicinale me amendamentet e komisionit funksional, ndërsa zv/ministri i Shëndetësisë, Shemsi Veseli, dha sqarimet përkatëse lidhur me koston financiare të tij. Veseli tha se projektligji ka kosto të caktuar buxhetore, mirëpo të hyrat e agjencionit përkatës, e tejkalojnë koston fillestare të tij.

Komisioni e përkrahu projektligjin dhe e procedoi tutje në Kuvend, me arsyetimin se implikimet financiare që ai përmban, janë të përballueshme për buxhetin.

Në vazhdim, zv/ministri i Infrastrukturës, Banush Pacolli, shpalosi hollësi nga Projektligji për Themelimin e Agjencisë për Shërbimet e Navigacionit Ajror, të cilin e konsideroi mjaft të rëndësishëm, por edhe si kërkesë në kuadër të procesit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Me një plotësim-ndryshim, komisioni e përkrahu projektligjin, me amendamente të komisionit funksional.

Lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës,viktimave civile dhe familjarëve të tyre, komisioni vlerësoi se ai përmban implikime buxhetore shtesë, të cilat do të duhej të parashihen në Kornizën e Ardhshme Buxhetore (në ligjet vjetore të buxhetit dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve) brenda pesë viteve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Projektligji u procedua tutje në Kuvend.

Në këtë mbledhje u shqyrtua edhe raporti i shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2013, të cilin e prezantoi sekretari Ismet Krasniqi. Në fjalën e tij, sekretari i Kuvendit tha se raporti përmban të dhëna të hollësishme të shpenzimeve të Kuvendit gjatë vitit të kaluar, të pasqyruara sipas kodeve dhe zërave përkatës buxhetorë.

"Gjatë vitit 2013 kemi shpenzuar 92.85 për qind të buxhetit. Në paga dhe mëditje është shpenzuar 95.53 për qind e buxhetit, në mallra dhe shërbime 95.56 për qind, në shpenzime komunale 92.68, subvencione 99.83 dhe investime kapitale 71.60 për qind", theksoi sekretari Krasniqi, duke u përgjigjur njëkohësisht edhe në interesimet e deputetëve për çështje të caktuara.

Komisioni e përkrahu raportin dhe i rekomandoi Kryesisë së Kuvendit miratimin e tij.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa