Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti në takim lamtumirës ambasadorin e Shqipërisë, Lauka
E Mërkure, 05.03.2014
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, e ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Shqipërisë në Kosovës, z.Islam Lauka. Kreu i Kuvendit duke shprehur konsideratat e tij për misionin diplomatik në shtetin e ri të Kosovës, e sidomos për angazhimet e tij për bashkëpunim sa më të mirë ndërmjet dy vendeve, i ka uruar z. Lauka shëndet dhe suksese në angazhimet e tij në të ardhmen.
Ambasadori i deritanishëm i Shqipërisë në Kosovës, Islam Lauka, duke shprehur kënaqësinë për punën e tij diplomatike në Kosovë, për të cilën, siç është shprehur ai, gjithë jetën ka ushqyer dashuri të jashtëzakonshme, është shprehur i kënaqur për ngrohtësinë që ka hasur tek institucionet dhe tek qytetarët e Kosovës.
"Shqipëria dhe Kosova kanë krijuar bazë të mirë ligjore për bashkëpunim të ndërsjellë, por nuk janë shfrytëzuar në mënyrë më të mirë mundësitë e krijuara" , ka theksuar Lauka, duke i përkujtuar mbi njëqind marrëveshje bashkëpunimi. Ai, ndërkaq , ka shprehur keqardhje për bllokadat e panevojshme nga ekzekutivët e të dy shteteve për eksportet respektive (të domates dhe çimentos), që kanë ndodhur gjatë mandatit të tij diplomatik në Kosovë.
"Gjithsesi bllokada të tilla nuk duhet të ndodhin, por duhen krijuar kondita që mallrat e të dy vendeve duhet të tregtohen pa asnjë pengesë, kurse ekzekutivet tona duhet të angazhohen më seriozisht për krijimin e tregut tonë unik, ka theksuar Krasniqi.
Ambasadori Lauka, duke shprehur respektin për angazhimin politik e kombëtar të z. Krasniqi, e sidomos për drejtimin në mënyrë të urtë të Kuvendit, i ka uruar atij suksese të reja në jetën politike.