Lajmet e fundit

Kuvendi i Kosovës e shfrytëzon me nikoqirllëk buxhetin e tij modest

E Marte, 04.03.2014




Në artikullin "Kuvendi shpenzon shuma MARRAMENDËSE PËR DREKA DHE DARKA", të botuar në të përditshmen "Kosova Sot", të datës 2 mars, 2014, prezantohen në mënyrë shumë dashakeqe shifrat reale për shpenzimet e Kuvendit, të deputetëve dhe të administratës së Kuvendit për vitin e kaluar.

Duke dashur që të prezantohen në dritë të keqe ligjvënësit e Kosovës dhe punonjësit e administratës, në artikull prezantohen shifra kumulative për shpenzime të caktuara, por nuk jepen qëllimisht specifikime për shpenzimet e bëra. Kështu, kur përmendet shifra 69469.05 euro për udhëtime zyrtare të deputetëve, nuk specifikohet fare se shifra ka të bëjë për dhjetëra udhëtime jashtë vendit të 89 deputetëve, të cilëve u kanë takuar 264 mëditje, konform Udhëzimit Administrativ 2004/07 për udhëtime zyrtare dhe lejimin e çdo vizite jashtë vendit nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës. Madje autorit të artikullit (P.MUSA) i duken shumë të larta "shpenzimet për akomodim " të punonjësve të Administratës së Kuvendit, gjatë udhëtime zyrtare jashtë vendit, prej 12 mijë euro. Gjithsesi, mëditjet e deputetëve dhe të punonjësve të administratës së Kuvendit janë tepër modeste krahasuar me çmimet e artikujve të domosdoshëm shpenzues gjatë vizitave të tyre në vendet mikpritëse. Mbase as artikullshkruesi e as stafi drejtues i gazetës nuk do të ndjeheshin mirë kur deputeti Kosovës, për mungesë të mjeteve të nevojshme financiare, do të detyrohej të kursente për ushqime, apo të fshihej nga sytë e kalimtarëve, për të mos ia parë " shpenzimet marramendëse për dreka e darka"!

Kur përmendet shifra prej 107 687,10 euro për dreka dhe darka, harrohet të thuhet se në këtë shumë hyjnë të gjitha shpenzimet për dreka e darka për delegacionet e huaja që e vizitojnë zyrtarisht Kuvendin e Kosovës. Sigurisht se nuk do të ishte në dinjitetin e asnjë qytetari të Kosovës që kryetari e nënkryetarët e Kuvendit, kryetarët e komisioneve parlamentare dhe deputetët e veçantë tu thoshin mysafirëve: "Mirë që na nderoni në vendin tuaj, por na e paguni edhe në venin tonë, se nuk jemi mirë me buxhet e na kritikojnë mediat!". Në këtë shifër hyjnë edhe shpenzimet e 13 komisioneve parlamentare për dreka pune dhe shpenzime të tjera gjatë mbajtjes së mbledhjeve të tyre në Kuvend dhe gjatë vizitave në terren. Këtu hyjnë edhe shpenzimet për të gjitha grupet parlamentare.

Gazetarit i duke marramendëse shpenzimet për telefonat fiks ( në shumën prej 51 mijë euro), por harron të përmend faktin që bëhet fjalë për 248 numra telefoni për deputetë, për këshilltarë dhe zyrtarë të Kuvendit, që i bie mesatarisht 17.47 euro në muaj për një telefon. I duken tepër shumë 15 mijë euro shpenzime për telefonat mobilë për zyrtarë të Kuvendit, kur ata detyrohen të komunikojnë në çdo kohë dhe vend për nevoja të punës së Kuvendit.

Gazetarit i duket se u bë hataja nëse janë shpenzuar 35 mijë euro për kompjuterë të deputetëve, kur tashmë askund në botë kompjuteri personal nuk trajtohet si luks, por si mjet i domosdoshëm pune, madje për çdo qytetar.

Çdo kush në Kosovë dhe shumëkush jashtë saj e din gjendjen ekonomike të Kosovës, por i kupton edhe nevojat në rritje për funksionimin e institucioneve të shtetit. Kuvendi i Kosovës e ka një buxhet të vogël (krahasuar me vendet e tjera) prej 8249692 euro, por dihet botërisht se legjislativi i vendit e shfrytëzon me nikoqirllëk buxhetin e tij modest. Të kihet parasysh se bëhet fjalë për shpenzimet e 120 deputetëve, 185 punonjësve të administratës dhe 31 pjesëtarëve të stafit mbështetës politik.

Mbase këtë një ditë do ta kuptojë edhe artikullshkruesi në gazetën "Kosova Sot"!

Raporti për shpenzimet e Kuvendit për vitin 2013 do të shqyrtohet më 5 mars nga Komisioni (funksional) për Buxhet dhe Financa, i cili takim do të jetë i hapur për media, për shoqërinë civile dhe mekanizmat monitorues të Kuvendit.