Lajmet e fundit
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
E Hënë, 03.03.2014
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës , në mbledhjen e saj të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që Kuvendi të mblidhet javën e ardhshme, më 13 mars.
Fillimisht do të procedohet me pikat e papërfunduara nga seanca plenare e filluar më 27 shkurt 2014: votimi i rekomandimeve të debatit parlamentar lidhur me gjendjen e sigurisë në shkollat e Republikës së Kosovë; votimi i rekomandimeve të debatit parlamentar lidhur me gjendjen e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, si dhe votimi i rekomandimeve të debatit parlamentar lidhur me procesin e privatizimit të IGK "Ballkan", në Suharekë.
Më pastaj do të fillojë seanca e re e Kuvendit, gjatë së cilës deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë: Projektligjin për Provimin Përfundimtar dhe Provimin e Maturës Shtetërore, si dhe Projektligjin për Veteranet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në vazhdim të seancës deputetët do të zgjedhin Avokatin e Popullit. Do të zgjedhin gjithashtu një anëtar joekzekutiv në Bordin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe do të shqyrtojnë propozimin për emërimin e kryesuesit dhe të anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Rendi i ditës i kësaj seance mund të plotësohet edhe me ndonjë pikë tjetër të rendit të ditës në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë.
Duke e shqyrtuar Informatën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit lidhur me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore për pagat e punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj, Kryesia ka ngarkuar Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, si komisionin funksional, që ta shqyrtojnë informatën e AKP-së lidhur me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore për pagat e punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj dhe Kuvendit t`i paraqesin raportin me rekomandime.