Lajmet e fundit
Misioni i OSBE-së në Kosovë i ofron përkrahje të mëtejme Kuvendit të Kosovës
E Hënë, 03.03.2014
Në një letër adresuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, shefi i Misioni i OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jean Claude Schlumberger, shpreh gatishmëri për përkrahje të mëtejme të Kuvendit në shumë aspekte të veprimtarisë së tij.
Pasi përgëzohet Kuvendi i Kosovës për progresin e shënuar në rritjen e aktiviteteve mbikëqyrëse, si dhe hapjen e Kuvendit për pjesëmarrje të publikut dhe shoqërisë civile, që përfaqësojnë të gjitha komunitetet e Kosovës, në këtë shkresë theksohet se OSBE-ja do të vazhdojë të mbështesë avancimin e mëtejmë të këtyre të arriturave drejt zgjerimit edhe të bashkëveprimit të Kuvendit me Qeverinë dhe institucionet e pavarura për një mbikëqyrje më efektive.
Misioni i OSBE-së do të vazhdojë të angazhohet në aktivitete të përbashkëta që kanë për qëllim mbështetjen e legjislaturës, si:komisionet partnere në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve,programeve dhe strategjive, si dhe në performancën e qeverisë në shpenzimin e buxhetit të saj; do të mbështesë komisionet në shqyrtimin e legjislacionit që ka të bëjë me të drejtat e komuniteteve; standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe barazinë gjinore, grupet parlamentare që përfaqësojnë gratë, të rinjtë dhe komunitetet jo shumicë, informimin publik për vizitat në terren të Kuvendit,kapacitetet e planifikimit strategjik të administratës së Kuvendit nëpërmjet trajnimit, mbikëqyrjen e institucioneve të pavarura nga ana e Kuvendit etj.
Po kështu OSBE-ja do të vazhdojë t' i ofrojë asistencë teknike Kuvendit në bashkëpunim me partnerë tjerë ndërkombëtarë, në mënyrë që të sigurojë shfrytëzim maksimal të burimeve ekzistuese, theksohet ndër të tjera në letrën e shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorit Jean Claude Schlumberger, drejtuar kryekuvendarit Krasniqi.