Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion nga Lidhja e invalidëve dhe viktimave civile të luftës
E Hënë, 03.03.2014
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot një delegacion nga Lidhja e invalidëve dhe viktimave civile të luftës në Kosovë, nga i cili u njoftua për gjendjen e kësaj kategorie dhe kërkesat e anëtarësisë së saj.
Udhëheqësi i delegacionit, Sherif Shabani, e njoftoi kryetarin Krasniqi me gjendjen në të cilën ndodhen anëtarët e shoqatës dhe njëherësh shprehu pakënaqësinë me nivelin e të ardhurave që ata gëzojnë. Ai tha se rritja e paralajmëruar e të ardhurave nuk është e kënaqshme dhe nuk i mbulon nevojat e këtyre njerëzve e të familjeve të tyre.
Pasi dëgjoi kërkesat e përfaqësuesve të shoqatës, kryeparlamentari Krasniqi theksoi nevojën e zgjidhjeve ligjore për probleme të tilla, ndërsa shtoi se niveli i rritjes së të ardhurave në Kosovë, duhet t'i përshtatet natyrës dhe gjendjes të secilës kategori shoqërore, konform kostos së jetesës.