Vende të lira pune
Për emrimin e anëtarit të KPMK-së
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës shpallKONKURS
Për emërimin e 1 (një) anëtari të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës me orar të plotë pune.
Aplikuesit duhet të jenë banorë të përhershëm të Republikës së Kosovës ose të jenë duke e pritur kërkesën për regjistrim civil.
Funksionet e Këshillit
Funksionet kryesore të Këshillit janë përcaktuar në nenin 10 të Rregullores nr. 2008/12, si vijon:
• Shqyrtimi dhe vendosja e ankesave kundër vendimeve të autoriteteve punëdhënëse të shërbimit civil.
• Përcaktimi, nëse emërimet e shërbyesve civilë në nivel të udhëheqësve të departamenteve janë bërë në pajtim me parimet udhëheqëse të shërbimit civil të përcaktuara në aneksin nr. 2.1 të kësaj rregulloreje.
• Paraqitja e një vlerësimi vjetor për përputhjen e veprimeve të autoriteteve punëdhënëse me parimet udhëheqëse dhe
• Paraqitja e një raporti vjetor në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Përgjegjësitë
• Varësisht nga ndarja e brendshme e detyrave, në mënyrë proporcionale, me të gjithë anëtarët e KPMK-së, nga anëtari pritet t’i përmbushë detyrat e punës që dalin nga autorizimet dhe nga funksionet e përmendura më sipër.
• Anëtarët e KPMK-së do ta drejtojnë dhe do ta mbikëqyrin bashkërisht punën e Sekretariatit të Këshillit. Ata mund të kryejnë edhe detyra të tjera lidhur me funksionet kryesore të tyre, siç është edhe kontributi për komunikimin sipas parimeve udhëheqëse të shërbimit civil.
Paga
• Pagesa mujore për anëtarët e KPMK-së është në nivelin e pagesës së gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Kualifikimet e kërkuara:
Arsimimi
• Aplikuesit duhet të kenë diplomë universiteti të lëmit të drejtësisë, të administratës publike, të menaxhimit, të ekonomisë etj.,
• Njohuritë për burimet njerëzore janë esenciale,
• Aplikuesit duhet të kenë kualifikime profesionale - njohuri për ligjet e Kosovës.
Përvoja
• Të kenë së paku 5 vjet përvojë pune në shërbimin civil të Kosovës, në menaxhim të nivelit të lartë ose në punët juridike/gjyqësore.
Aftësia gjuhësore
• Aplikuesit duhet të kenë aftësi të mira komunikimi me gojë dhe me shkrim, të paktën në njërën nga gjuhët zyrtare në Kosovë. Gjuha angleze ka përparësi.
Aftësi të tjera
• Të kenë integritet dhe angazhim personal për parimet e meritës, të jodiskriminimit dhe gjithëpërfshirës.
PROCEDURA E KONKURRIMIT
Formulari për konkurrim mund të nxirret nga faqja e internetit të Kuvendit (htpp://www.assembly-kosova.org) ose mund të merret në recepsionin e ndërtesës së Kuvendit, në Prishtinë (Rr. “Nëna Terezë”, p. n.). Formulari zyrtar i konkurrimit duhet të dorëzohet së bashku me dëshmitë për kualifikimin shkollor, për specializimin, për kurset e ndjekura dhe për përvojën në punë. Përdorimi i formularit të gabueshëm dhe të pakompletuar me të dhënat e kërkuara dhe me të dhëna të paraqitura me vonesë, konsiderohet i pavlefshëm.
Kërkesa mund të dorëzohet në recepsionin e ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës në Prishtinë (Rruga "Nëna Terezë", p. n.), me postë ose në Zyrën e Personelit nr. N - 217, kati II.
Për njoftime më të hollësishme mund të telefononi në: 038 200 10490 dhe 038 200 10493.
Afati i konkurrimit: 18 prill - 08 maj 2009, deri në orën 16:00.