Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...

E Enjte, 02.05.2019




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kryesuar nga kryetari Nait Hasani, është shqyrtuar raporti vjetor i Komisionit të Pavarur për Media, si dhe raporti vjetor i Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2018.

Komisioni fillimisht shqyrtoi dhe më pas miratoi raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Media për vitin paraprak, duke e proceduar tutje në Kuvend.

Kryetarja e bordit të Radio Televizionit të Kosovës, Aferdita Maliqi, prezantoi aspekte përmbajtësore të raportit për vitin 2018. Maliqi tha se përkundër ambientit të vështirë në ushtrimin e veprimtarisë, si dhe gjendjen e rëndë financiare, mosmiratimin e ligjit të ri, RTK-ja, siç u shpreh ajo, ka arritur ta mbajë shkallën shikueshmërisë, por edhe pasurimin e përmbajtjes në shumë fusha.

"Në vitin 2018, RTK-ja ka investuar në rritjen e programit vetjak dhe atij të jashtëm. Transmetuesi ynë publik ka arritur të jetë i pranishëm tek secila kategori e shoqërisë, pa asnjë dallim. E gjithë kjo është bërë në pajtim me obligimet e përcaktuara ligjore", tha Maliqi.

Ndërkaq, sfidë e RTK-së, sipas saj, është çështja e borxhit të bartur ndër vite.

Lidhur më këtë, ajo sqaroi se mjetet e dedikuara për një qëllim gjatë vitit vijues, duhet të paguhen për borxhet e viteve paraprake. Sipas saj, sfidë tjetër mbetet edhe çështja e objektit të RTK-së, për të cilin tha se nuk po marrin mbështetje konkrete.

Maliqi foli edhe ligjin e ri për RTK-në, i cili është ende në procedurë. Kjo çështje, sipas saj, është duke shkaktuar vështirësi dhe në të njëjtën kohë është duke e lëkundur qëndrueshmërinë në raport me standardet ndërkombëtare.

Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre, zhvilluan debat dhe shtruan pyetje lidhur me çështje të funksionimit të RTK-së, që kishin të bënin me: zërimin e RTK-së, përzgjedhjen e drejtorit te ri të këtij mediumi, financat, borxhet paraprake etj. Kërkesë e tyre ishte transmetimi i më shumë programeve edukativo-arsimore dhe atyre sportive etj.
Kryetarja e bordit, Maliqi, u përgjigj në pyetjet e shtruara nga deputetëtt, duke dhënë sqarimet dhe argumentet e nevojshme.

Raporti me shumicë votash u miratua, duke u proceduar tutje në Kuvend.

Komisioni shqyrtoi dhe miratoi edhe draft-ligjin për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në fund të takimit komisioni u dakordua që të shpallë konkursin lidhur me emërimin e anëtarëve të KPM-së.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...