Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet
E Mërkure, 24.04.2019
Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar, ka shqyrtuar Raportin me amendamente të Grupit Punues të Komisionit për Projektligjin 06/L-137 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-058 dhe Ligjin nr.04/L-122, si dhe Ligjin nr.03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256.
Raportin me amendamente (73 sosh), para komisionit e paraqiti deputeti Naser Osmani, kryesues i grupit punues.
Ai bëri të ditur se gjatë amendamentimit të këtij projektligji janë konsultuar shumë përfaqësues nga OJQ të ndryshme, përfaqësues të partive politike, përfaqësues nga shoqëria civile, si dhe Zyra e BE-së në Prishtinë.
Komisioni pas shqyrtimit të amendamenteve, vendosi t'i përkrah ato dhe projektligjin ta procedojë tutje për shqyrtim final edhe në seancë plenare të Kuvendit.
Në këtë mbledhje, po ashtu komisioni përkrahu edhe Projektligjin nr.06/L-068 për Mbrojtjen e Fëmijës dhe amendamentet e Komisionit funksional dhe amendamenteve të Komisionit funksional për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, duke konstatuar se kostoja financiare për implementimin e tij, është e përballueshme për buxhetin e vendit.