Lajmet e fundit
Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit
E Enjte, 11.04.2019
Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën kryesimin e kryeparlamentarit, Kadri Veseli, ka mbajtur sot seancë të jashtëzakonshme, bazuar në kërkesën e 41 deputetëve nënshkrues, me temën: zbrazja e vendit nga të rinjtë si rreziku më i madh që i kanoset vendit që nga paslufta.
Në emër të iniciuesit të debatit foli deputeti Fidan Rekaliu, i cili shfaqi brengën lidhur me migrimin e madh që është duke ndodhur kohëve të fundit në vendin tonë. Ai vlerësoi se ikja e të rinjve është gjëja më e keqe që po i ndodhë Kosovës.
Duke folur për shkaqet, të cilat kanë bërë që të rinjtë të lëshojnë vendin, Rekaliu u shpreh se arsye kryesore është pa perspektiva për një jetë normale. Tutje ai vlerësoi se kjo gjendje është krijuar nga afera e skandale, në punësime partiake dhe familjare, gjë që, sipas tij, ka bërë tua shuaj shpresën për një jetë më të mirë në Kosovë.
Shqetësuese, tha deputeti Rekaliu në vijim, mbetet edhe fakti që vendin janë duke e braktisur kuadro të profesioneve të ndryshme, inxhinierë, mjekë e shumë profile të tjera të profesioneve të ndryshme, për të cilat vendi ynë ka nevojë.
Në fund të fjalës së tij, Rekaliu kërkoi që të miratohet një rezolutë, e cila do të ndikonte në parandalimin e migrimit. Për miratimin e kësaj rezolute, Rekaliu kërkoi që të arrihet konsensus ndërmjet deputetëve.
Në emër të PDK-së foli kryetari i këtij Grupi Parlamentar, Memli Krasniqi.
Ai fillimisht vlerësoi se kjo seancë, nuk është dashur të cilësohet si e jashtëzakonshme, për faktin se paraprakisht ka qenë i caktuar vazhdimi i seancës së rregullt. Lidhur me temën, ndërkaq, Krasniqi u shpreh se duhet diskutuar, me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie, e cila sipas tij daton nga vitet e më hershme, veçanërisht nga viti 2015.
Në fund të fjalës së tij, ai u shpreh në favor të një rezolute konsensuale ndërmjet deputetëve.
Në vijim fjalën e mori deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj, i cili fillimisht kritikoi mospjesëmarrjen e kryeministrit dhe kabinetit qeveritar në këtë seancë. Ai tha se shkak i kësaj gjendjeje është qeverisja e gjertanishme, dhe në vijim ofroi të dhëna statistikore, sipas tij, nga "Euro Stati", të cilat flasin për një migrim të madh të qytetarëve tanë në vendet e BE-së.
Po ashtu, Rexhaj, vuri në dukje edhe pagën e ultë në sektorin privat, gjë që ka ndikuar në braktisjen e vendit nga të rinjtë, dhe shtoi se, edhe më shqetësues është fakti se vendin janë duke e braktisur edhe ata që kanë ndonjë vend pune.
Në fund të paraqitjes së tij, deputeti Rexhaj u shpreh se zgjidhja e këtij problemi, si dhe problemeve të tjera në vend është ndërrimi i qeverisë nëpërmjet zgjedhjeve.
Qëndrimin e AAK-së lidhur me këtë çështje e paraqiti shefi i këtij Grupi Parlamentar, Ahmet Isufi. Ai tha se migrimi i qytetarëve tanë është dukuri e kahershme që ka ndodhur për shkaqe të ndryshme, si rrjedhojë e rrethanave politike dhe ekonomike në vend. Në vijim, ai ofroi fakte të bazuara nga të dhënat statistikore, të cilat dëshmojnë për rënien e numrit të atyre që braktisin vendin.
Në vitin 2015, vijoi ai, vendin e kanë lëshuar 67545 qytetarë, në vitin 2016, 9410 qytetarë, në vitin 2017, 5455 qytetarë dhe në vitin 2018, saktësoi deputeti Ahmeti, vendin e kanë braktisur 3515 qytetarë. Bazuar në këto statistika, tha ai, vërehet rënie e migrimit në vend, dhe aktualisht është duke ndodhur në numër të vogël, ndërkaq, qytetarët, për dallim nga vitet e më hershme, janë të pajisur me viza.
Në fund të fjalës së tij, ai u deklarua në favor të rezolutës e cila do të parandalonte lëshuarjen e vendit, veçanërisht nga të rinjtë.
Për të trajtuar këtë çështje, sipas përfaqësuesit të PSD-së Visar Ymeri, do duhej një qasje tjetër. Ai vlerësoi se seanca si kjo, është mundësi vetëm për tu shprehur, e jo si mundësi për të ndikuar në ndryshim të kësaj dukurie.
Deputeti Ymeri, vlerësoi se kjo çështje duhet trajtuar me seriozitet të veçantë, duke analizuar shkaqet e migrimit, si dhe shumë shkaqe të tjera, siç është niveli i lartë i papunësisë dhe mungesa e sigurimeve sociale. Duhet analizuar po ashtu, tha Ymeri, se çfarë mund të bëjmë ne për të rinjtë që migrojnë, në mënyrë që të kthehen përsëri në Kosovë, sepse kujtoi ai, para lufte, njerëzit braktisnin vendin për tu kthyer, ndërsa tani braktisja ndodhë pa menduar që përsëri të kthehen dhe t'i kontribuojnë vendit.
Në emër të NISMA-s, fjalën e mori shefi i këtij Grupi Parlamentar, Bilall Sherifi.
Ai shprehu bindjen se migrimi që tani po ndodhë, është si pasojë e menaxhimit jo adekuat të çështjeve që lidhen me ekonominë dhe mirëqenien qytetare.
Për të tejkaluar këto shqetësime të qytetarëve, të cilët migrimin e shohin si zgjidhjen më të mirë të problemeve të tyre, Bilalli tha se Qeveria duhet të hartojë strategji zhvillimore ekonomike, përmirësim të arsimit dhe rregullimin e të gjitha fushave që lidhen me mirëqenien e qytetarëve.
Në emër të Grupit Punues 6+, fjalën e mori deputeti Fikrim Damka. Ai vuri në pah shqetësimin e migrimit dhe shkaqet e tij, me theks të veçantë të komunitetit që ai përfaqëson.
Pas kësaj, seanca ka vijuar nën kryesimin e nënkryetarit Kujtim Shala.
Deputetët me këtë rast, shfaqën opinionet e veta nga këndvështrime të ndryshme, por, u vu re se çështja për të cilën u diskutua ishte shqetësim për të gjithë.
Ide për zgjidhjen e kësaj çështjeje, ndërkaq, u paraqitën në mënyra të ndryshme ndërmjet deputetëve të pozitës dhe atyre opozitarë.
Pas shterimit të debatit, deputeti Fidan Rekaliu, kërkoi nga grupet parlamentare që të bashkëpunojnë në hartimin e një rezolute, e cila më pas, me vendim të Kryesisë së Kuvendit, të zë vend në një nga seancat e radhës.