Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Administratë...
E Mërkure, 10.04.2019
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, në mbledhjen e mbajtur sot, të drejtuar nga Nait Hasani, kryetar, shqyrtoi Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Media, për vitin 2018.
Për të raportuar lidhur me punën dhe aktivitetet e këtij institucioni, të ftuar për raportim ishin anëtarët e bordit të KPM-së.
Violeta Hyseni- Kelmendi, anëtare e bordit të KPM-së, para anëtarëve të komisionit bëri një prezantim gjithëpërfshirës të punës për vitin 2018. Hyseni-Kelmendi tha se Departamenti Ligjor gjatë vitit paraprak ka dërguar në përmbarim tetëdhjetë (80) Ofertues të Shërbimeve Mediale, Audio-vizuale, të cilat nuk kanë paguar tarifën për licencë. Ajo shtoi se aktualisht territori i Republikës së Kosovës mbulohet vetëm me 62,7% me sinjal televiziv. Ndërkaq, sipas saj, pa mbulueshmëri kanë mbetur regjionet si: Dragashi, Kaçaniku, Kamenica, Zhupa, Artana, Zveçan etj. Sipas Hysenit-Kelmendit, kjo ka ndodhur për shkak të mos aktivizimit të pikës së lartë të Goleshit.
"Televizionet regjionale-lokale mbulojnë rreth 68.14% të territorit të Kosovës me sinjal televiziv, ndërsa radiot lokale/regjionale mbulojnë rreth 96.98% të territorit të Kosovës" tha Hyseni-Kelmendi.
Buxheti fillestar i KPM-së, sipas Kelmendit-Hysenit, në vlerë prej 826,322.94 eurosh, krahasuar me buxhetin final është zvogëluar në vlerë prej 729,559.38 eurosh. Po ashtu ajo, deklaroi se borxhe të trashëguara janë mbi 50 mijë euro.
Anëtarët e komisionit nga ana e tyre, shtruan pyetje dhe ngritën një varg shqetësimesh lidhur me funksionimin e KPM-së.
Ata u interesuan se a është bërë ndonjë kërkesë nga KPM-ja lidhur me pikën e Goleshit, a janë tarifat e njëjta për të gjithë operuesit, sa janë duke u realizuar programet për fëmijë, nga kush janë trashëguar borxhet e KPM-së, sa është tarifa vjetore e TV-ve etj.
Anëtarët e bordit u përgjigjën në pyetjet e deputetëve, duke dhënë sqarimet e nevojshme lidhur me çështjet e ngritura.
Sidoqoftë, raporti vjetor për vitin 2018, i KPM-së, pritet të votohet në një mbledhje të radhës, me që komisioni kërkoi sqarime shtesë me shkrim nga anëtarët e bordit.