Lajmet e fundit

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion... në Këshillin Prokurorial të Kosovës

E Hënë, 08.04.2019




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, u takua sot me Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni.

Në këtë takim të pranishëm ishin kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, zëvendëskryetari i parë, Hajdar Beqa, zëvendëskryetari i dytë, Bahrim Shabani dhe anëtari i komisionit, Korab Sejdiu të cilët potencuan se qëllimi i këtij takimi është mbikëqyrja e zbatimit të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Në takim kryetarja Haxhiu theksoi se po hasen probleme në zbatimin e ligjit dhe se është vendosur që të mbikëqyret zbatimi i tij, për të parë më nga afër pengesat dhe sfidat. Kryetarja po ashtu shprehu interesimin të dijë nëse janë nxjerrë aktet nënligjore ashtu siç e parasheh ligji, nëse janë caktuar zyrtarët përgjegjës a ka pasur trajnime për këto zyrtarë.

Kryesuesi Hyseni tha se është shumë e rëndësishme që po mbikëqyret ky ligj, duke pohuar se kryesisht është një ligj i mirë, por në praktikë, sipas tij, disa dispozita po krijojnë paqartësi. Ai tha se konflikti i interesit është çështje administrative, por sa i përket Këshillit Prokurorial, sipas tij, nuk ka pasur ndonjë rast të konfliktit të interesit.

"Jemi duke pritur që të nxirret një rregullore model nga Agjencia, në mënyrë që të kemi një bazë për të nxjerrë rregulloret e brendshme sipas Ligjit për parandalim të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik", theksoi Hyseni.

Gjatë takimit u tha se janë disa nene që e bëjnë të vështirë zbatimin e ligjit dhe do të ndërmerren të gjitha masat që të harmonizohen rregulloret e brendshme konform këtij ligji.

U bë e ditur zyrtari përgjegjës është caktuar, ashtu siç e parasheh ligji, mirëpo ende nuk ka ndjekur trajnimet përkatëse.

Në fund anëtarët e komisionit kërkuan që të ndërmerren masa për njoftimin e zyrtarëve me ligjin, duke bërë një fushatë informuese dhe vedijësuese, në mënyrë që të parandalohet konflikti i interesit.

 

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion... në Këshillin Prokurorial të Kosovës