Lajmet e fundit

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion…. në Ministrinë e Punëve të Brendshme

E Hënë, 01.04.2019




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, në vazhdën e takimeve për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, u takua sot me ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.
Në këtë takim, në të cilin të pranishëm ishin kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu dhe zëvendëskryetari i parë, Hajdar Beqa, u theksua se Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, është miratuar vitin e kaluar me procedurë të përshpejtuar dhe për këtë arsyje tani po hasë në probleme gjatë zbatimit, andaj edhe është vendosur që të ketë mbikëqyrje të zbatimit të tij, për të parë nga afër pengesat dhe sfidat në këtë proces.
Në vazhdim, kryetarja Haxhiu shprehu interesim se kur janë caktuar zyrtarët përgjegjës në këtë institucion dhe nëse ka pasur trajnime për zyrtarët në lidhje me këtë ligj.
Ndërkaq, ministri Mustafa njoftoi anëtarët e komisionit se Ministria e Punëve të Brendshme ka caktuar brenda afatit ligjor dy zyrtarë përgjegjës për parandalimin e konfliktit të interesit në këtë institucion, duke pohuar se janë trajtuar nga vet institucioni edhe rastet që potencialisht mund të kenë pasur konflikt të interesit.
Sa i përket rregulloreve të brendshme, ai tha se institucioni ende nuk e ka hartuar një të tillë.
Gjatë takimit u theksua se për shkak të specifikave që ka kjo ministri, sfidë dhe shqetësim paraqesin neni 12 dhe 13 i ligjit, ndaj u kërkua që të nxirren rregullore, ngase ligji nuk i specifikon të gjitha hollësitë.
Në fund, anëtarët e komisionit kërkuan që të ndërmerren veprime për njoftimin e zyrtarëve me përmbajtjen e ligjit, duke bërë një fushatë vedijesuese, në mënyrë që të parandalohet konflikti i interesit.

 

 

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion…. në Ministrinë e Punëve të Brendshme