Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet
E Marte, 24.10.2017
Shqyrtimi në parim i Projektligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, si dhe shqyrtimi i Raportit financiar të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën janar-shtator 2017 së bashku me Programin e Shpenzimeve të RTK-së, për periudhën tetor-dhjetor 2017, ishin çështjet për të cilat u diskutua në mbledhjen e sotme të
Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar i këtij Komisioni.
Projektligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, para anëtarëve të Komisionit e paraqiti ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza.
Me këtë rast, ai foli për rëndësinë dhe objektivat që është paraparë të arrihen nëpërmjet këtij Projektligji, duke nënvizuar se qëllimi parësorë është të krijohet një sistem modern dhe fikas i tatimit në pronë.
Pas kësaj, anëtarët e Komisionit paraqitën vërejtjet dhe rekomandimet e tyre, ndërkaq, në fund, me shumicë votash e përkrahën procedimin e më tejmë të këtij Projektligji.
Është vijuar më pas me shqyrtimin e Raportit financiar të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën janar-shtator 2017 së bashku me Programin e Shpenzimeve të RTK-së.
Raportin e paraqiti kryesuesja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi, e cila ofroi një pasqyrë të shpenzimeve të deritashme dhe gjendjen financiare në këtë institucion mediatik.
Lidhur me Raportin dhe pasqyrat financiare, anëtarët e komisionit paraqitën një varg vërejtjesh dhe kritikash, duke vënë në pah shumë parregullsi në menaxhimin e mjeteve dhe organizimin e punës në RTK.
U fol po ashtu edhe për mënyrën e raportimit në Komision, për të cilën kryetari i Komisionit Abdixhiku, vlerësoi se duhet ndryshuar, duke vënë në zbatim një standard të ri të vlerësimit.
Lidhur me financimin e RTK-së, Komisioni vlerësoi se mënyra më e mirë e rregullimit të çështjes financiare është miratimi i një Ligji për këtë institucion.
Për sa i përket kërkesës së RTK-së, që nga buxheti i shtetit, në llogari të RTK-së të transferohen mjete buxhetore në shumën prej tre milionë e 100 mijë euro, (pjesa e fundit e shumës së përgjithshme dedikuar RTK-së), Komisioni vendosi që ta mbështesë këtë kërkesë. Por, në pamundësi të realizimit të të hyrave të parapara nga AKP-ja, u vendosë që fillimisht të alokohen mjete në shumën prej 1 milion e 700 mijë euro, ndërkaq, pjesa tjetër pas miratimit të Projektligjit për rishikimin e Buxhetit.