Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalim i Kryetarit Veseli me bashkatdhetarë, të mbajtur në Kuvend më 22.7.2015

Të nderuar bashkatdhetarë,


Mirë se keni ardhur në Kosovë!
Mirë se keni ardhur sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Është meritë e juaja pse ky Kuvend ka sot këtë emër. Kjo është një ditë shumë e veçantë për mua.
- Të veçanta janë edhe këto ditë vere për vendin tonë,
- për atdheun tonë të dashur- Kosovën.
Janë këto ditët e mërgatës, ditët kur bashkatdhetarët nga e gjithë bota kthehen në vendlindjen e tyre.


Janë ditë të mallit dhe të krenarisë.


Janë ditë kur atdheu ynë ripërtërihet dhe rizbulon lidhjen e tij të fuqishme me bijtë dhe bijat e tij, që jetojnë dhe punojnë gjithandej botës.
Të rrallë janë popujt në botë që ruajnë një lidhje kaq të fuqishme.


- Këto ditë rrugët dhe sheshet e Kosovës kanë një gjallëri më të madhe.
- Familjet tona janë të hareshme.
- Të gjithë jemi në festë.


Të nderuar bashkatdhetarë,


Në 20 vitet e fundit atdheu ynë ka kaluar nëpër ngjarje të mëdha historike. Roli i mërgatës sonë në këto ngjarje ka qenë i jashtëzakonshëm.
Kosova nuk do të mbijetonte pa mbështetjen tuaj të nderuar bashkatdhetarë.
Në vitet ‘90 të shekullit të kaluar, kur regjimi i atëhershëm serb e dëboi gjithë popullin tonë nga sistemi institucional, me mundin tuaj ne ngritëm sistemin tonë të mbijetesës dhe rezistencës ndaj këtij regjimi.
Me mundin dhe djersën tuaj ia bëmë të mundur Kosovës që të qëndronte dhe të mos dorëzohej.
Dhe kur nisi lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
- mërgata jonë,
- ju të nderuar bashkatdhetarë,
- ishit të parët që ju përgjigjët thirrjes së atdheut.
Brenda një kohe të shkurtër e gjithë mërgata jonë u kthye në një logjistikë të fuqishme të luftës çlirimtare,
- një logjistikë që edhe shtetet më të organizuara do ta kishin zili.

Mijëra djem lanë familjet e tyre, shkollat dhe vendet e punës nëpër vendet perëndimore dhe u rreshtuan në njësitet e UÇK-së.
Shumë prej tyre ranë dëshmorë, shumë humbën gjymtyrët e tyre.
Ata sakrifikuan fatin e tyre individual për të mbrojtur dhe çliruar atdheun.


Ne do të përkulemi përjetë para veprës dhe kujtimit të tyre.


Mërgata jonë nuk u ndal kurrë së punuari për atdheun tonë të dashur Kosovën
Gjurmët e duarve të saj janë dëshmi e përjetshme në historinë e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.

Të nderuar bashkatdhetarë,


Sot jetojmë në rrethana të reja. Kosova është e lirë dhe shtet i pavarur.
Probleme dhe sfida të reja janë në rendin e ditës. Mbi të gjitha është sfida e zhvillimit ekonomik.
Ju të gjithë jetoni dhe punoni në vendet e zhvilluara dhe e keni të qartë se ekonomia është faktori themelor prej të cilit varen të gjitha proceset tjera.
Shteti ynë nuk mund të ecë përpara pa ndryshuar gjendja ekonomike.
Stabiliteti ynë makro-ekonomik ende varet në masë të konsiderueshme nga kontributi juaj i drejtpërdrejtë për familjet tona.
Në anën tjetër shërbimet që shteti duhet ti kryej ndaj jush ende nuk janë në nivelin e duhur.
Shpeshherë kjo ndodhë për shkak të burimeve të kufizuara, por shpeshherë edhe për shkak të neglizhencës burokratike.
Është ngritur Ministria e Diasporës për të adresuar pikërisht problemet e mërgimtarëve tanë.
Sipas informatave që kam është bërë një punë e konsiderueshme, por ende mbesin shumë sfida që duhen zgjidhur.
Ne, të nderuar bashkatdhetarë, duhet t'i japim fund epokës së mërgatës pa shtet.
Mërgata jonë duhet të ndjejë se shteti i Kosovës është pranë saj, pranë halleve dhe nevojave të saj.
Kjo nuk është vetëm borxhi historik që ky shtet ka ndaj mërgatës, por edhe një investim në të tashmen dhe të ardhmen e atdheut tonë.


Ju faleminderit.