Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalim i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli në Tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës të organizuar me komunitetin e biznesit

Duke ju falënderuar për pjesëmarrjen tuaj në këtë tryezë, më lejoni të potencojë se qëllimi i kësaj tryeze është që të diskutojmë së bashku për mundësitë e ndryshimit të gjendjes ekonomike në vend.


Ka ardhur koha që ekonominë ta kthejmë në agjendën tonë më të rëndësishme shtetërore.
Ne, nuk mund të lejojmë që edhe më tutje të kemi gjendjen ekzistuese ekonomike, për të cilën të gjithë pajtohemi se nuk është e mirë.


Është moment i fundit që vendin ta nxjerrim nga parametrat e stagnimit ekonomik dhe të nxisim një rritje reale ekonomike.


Rritja ekonomike prej 3 për qind sa është vlerësuar këtë vit thjeshtë nuk plotëson kërkesat për krijimin e vendeve të reja të punës.

Është koha e fundit të kalojmë prej premtimeve në veprime.

Nuk kemi kohë të humbim.
Duhet urgjentisht të krijohet fondi i garantimit të kredive të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme

Është koha e fundit të aftësojmë fuqinë punëtore, rininë tonë që të ngrisim produktivitetin.

Është detyrë e jona të mbulojmë këto deficite të sektorit privat duke i mbuluar të gjitha kostot e trajnimit, duke i pranuar të gjitha shpenzimet e trajnimit dhe aftësimit e jo ta limitojmë atë në 3,000 EURO.

Kuvendi në bashkëpunim me USAID ka filluar me punë dhe do të prezantojmë javës që vije:

- Skemën e Fondit Garantues për kreditë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme
- Kemi filluar me punë në përmirësimin e efikasitetit të gjykatave në çështjet komerciale
- Jemi duke punuar me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për fondin e Zhvillimit të Teknologjisë Informative. Me këtë rast, kam kërkuar dhënien në shfrytëzim të qendrës protokollare për nevoja të Akademisë së Teknologjisë Informative
- Kemi kërkuar si reflektim të Odës së Kosovës dhe Odës Amerikane të fillohet menjëherë me studimin mbi mënyrën e kthimit të bordit të pavarur për ankesa për tatime dhe doganë
- Kam kërkuar draftimin e ligjit për pagesa të vonuara
- Kam kërkuar draftimin e ligjit të kambialit, për të ngritur efikasitetin në pagesa të sektorit privat
- Kam kërkuar që të hiqen barrierat dhe të formohet mekanizmi i One Stop Shop për sektorin minerar i cili është vital për zhvillim ekonomik dhe rritjen ekonomike


Të nderuar të pranishëm


Vetëm përmes rritjes ekonomike mund të ndikojmë në uljen e treguesve negativ sikurse janë papunësia, varfëria dhe bilanci tregtar negativ.
Këta tregues janë kërcënimi më i madh për një shoqëri,
- sepse papunësia dhe varfëria ushqejnë kulturën e paligjshmërisë dhe rrezikun e ideologjive ekstremiste,
- ndërsa bilanci tregtar negativ gjithmonë është një rrezik potencial për të rrënuar gjithë sistemin ekonomik.

Shumë kush mendon se çështja e zhvillimit ekonomik të vendit bie në fushën e kompetencave të pushtetit ekzekutiv dhe ne si parlament nuk mund të bëjmë ndonjë punë të madhe në këtë drejtim.
Konsideroj se ky vlerësim është krejtësisht i gabuar dhe ne mund ta dëshmojmë këtë përmes angazhimit konkret në fushën e parlamentarizmit ekonomik.


Me këtë koncept ne kuptojmë një qasje të re të legjislativit për problemet e zhvillimit ekonomik,për nevojat dhe kërkesat e komunitetit të biznesit.


Hapi i parë në qasjen e parlamentarizmit ekonomik është nisja e dialogut në mes Parlamentit të Kosovës dhe këtij komuniteti.


Ky dialog nënkupton që komuniteti i biznesit kosovar të jetë sa më shumë i përfshirë në procesin e përgatitjes së ligjeve, sidomos ligjeve që kanë impakt të drejtpërdrejt ekonomik.


Që nga ditët e para kur e kam marrë mandatin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës kam insistuar në ngritjen e shkallës së transparencës parlamentare.


Komisionet parlamentare, aty ku edhe bëhet puna kryesore në draftimin e ligjeve, do të jenë të hapura dhe synimi im është që edhe komuniteti i biznesit të jetë i përfshirë në procesin e punës së komisioneve.
Kjo përfshirje na mundëson që të arrijmë dy qëllime shumë të rëndësishme:
- Qëllimi i parë, është që t'i bëjmë ligjet sa më të mira, në funksion të stimulimit të zhvillimit ekonomik.
- Që kjo të ndodhë ju duhet të jeni aty ku bëhen ligjet.
- Deputetët janë përfaqësues të popullit, por shpesh atyre u mungon ndjeshmëria profesionale dhe ekonomike për çështje specifike.
- Në takimin tonë të fundit ju kam dhënë idenë për krijimin e grupit këshill dhënës të komunitetit të biznesit pranë Kuvendit të Kosovës, tani dëshiroj të ju njoftoj se kamë vendosur që komunitetit të biznesit ju jap në dispozicion zyre në kuadër të Kuvendit

- Në këtë formë do të jeni afër draft ligjeve, komisioneve si dhe deputetëve. Dëshiroj të kemi inputin tuaj aty ku shkruhen dhe amandamentohen ligjet

- Nuk mjafton të marrim një feedback për ligje dhe pastaj të themi se kemi konsultuar komunitetin e biznesit.

- Komuniteti i biznesit duhet të jetë inicues, draftues si dhe të ndikojë në ndryshimin e ligjeve aty ku është e domosdoshme për të mirën e zhvillimit ekonomik.

- Qëllimi i dytë, ndërkaq është që përmes pjesëmarrjes në procesin e krijimit të ligjeve t'i mundësojmë komunitetit të biznesit që idetë e t'ij inovative t'i kthejmë në iniciativa konkrete ligjore.
- Parlamenti i Kosovës e ka këtë mundësi, sepse sponsorizues i ligjeve nuk është vetëm qeveria.
Shumë herë nëpër media të ndryshme, debate dhe forume opinionesh dëgjojmë analiza dhe ide të shumë kreative rreth mundësive ekonomike në vendin tonë.


Fatkeqësisht ndodhë që këto ide në fund të ditës bijën në harresë.
Synimi im është që kjo gjë të ndryshoj.


Përmes parlamentarizmit ekonomik do të bëhet e mundur që Idetë e mira ekonomike të gjejnë rrugën për t'u shndërruar në vendime politike.


Një mundësi tjetër e parlamentarizmit ekonomik është edhe mundësia që idetë ekonomike të komunitetit të biznesit t'i kanalizojmë në diplomacinë parlamentare.


Kjo do të thotë që Deputetët e Kuvendit të Kosovës, grupet dhe komisionet parlamentare këto ide t'i bartin në kontaktet dhe takimet ndërkombëtare.


Gjatë vizitës sime kohë më parë në Panama unë pata rastin të takohem me shumë përfaqësues vendesh të Amerikës Latine që shprehnin interesim për mundësitë ekonomike që i ofron Kosova.


Ne jemi një vend i vogël dhe duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi që na jepet për të promovuar mundësitë tona.
Në funksion të këtij qëllimi është edhe ky takim i përbashkët.


Jam i lumtur që të dëgjoj pikëpamjet e secilit nga ju dhe më pas këto pikëpamje t'i integrojmë në procesin legjislativ dhe mekanizmat tjerë të punës parlamentare.


Ju faleminderit!