Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion…
E Marte, 02.04.2019
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka mbajtur sot(e martë), mbledhjen e rregullt, të cilën e ka kryesuar Albulena Haxhiu, kryetare.
Në këtë mbledhje është vendosur që komisioni t'ia adresojë një letër Qeverisë së Kosovës, në lidhje me mosfunksionalizimin e Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politik .
Anëtarët e komisionit janë pajtuar që ta shtyjnë për një nga mbledhjet e radhës shqyrtimin në parim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-256.
Ndërkaq, përkundër konfirmimit, kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, nuk ka marrë pjesë në këtë mbledhje për të sqaruar letrën drejtuar punonjësve të kësaj kompanie për mos nxjerrjen e informatave konfidenciale, që sipas anëtarëve të komisionit, bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.